Nga Artan Hoxha
Kuvendi votoi, të enjten e kaluar, kandidaturën opozitare për Avokatin e Popullit. Prej kohësh, maxhoranca i kish kaluar opozitës të drejtën ekskluzive për propozim, si shprehje e mirëkuptimit për realizimin së bashku të axhendës europiane. Një nga duzina e detyrave të kësaj axhende, ajo më e thjeshta, u kry. Mbetet sfida e miratimit të një pakete të rëndësishme ligjesh reformuese për sistemin zgjedhor, Kuvendin, drejtësinë, administratën. 2. Dy të hëna më parë, datë 12 dhjetor 2011, PS organizoi dëgjimin publik të 12 kandidaturave të përzgjedhura mes 31 aplikantëve që iu përgjigjën ftesës opozitare. Në të njëjtën ditë, në shkrimin tim “Avokati i Popullit” në gazetën “Panorama” vura në pah qoftë kornizën e anormalitetit krijuar nga transferimi maxhoritar i ekskluzivitetit të së drejtës propozuese tek opozita, qoftë qasjen normale e shembullore të përdorur nga PS për identifikimin e kandidaturës më të mirë e qoftë absurdin e pretendimit të Edi Ramës se një metodë e këtillë tregonte dallimin mes tij dhe Saliut, opozitës dhe qeverisë, PS dhe PD, ndaj nuk po zgjatem. 3. Atë të hënë, që nga mëngjesi deri pasdite vonë, mora pjesë, pa luajtur nga vendi, në dëgjimin publik të të gjithë kandidatëve. Nuk humbi asnjë minutë nga dëgjesa edhe vetë Edi Rama, ndërsa deputetë socialiste, militantë partiakë, gazetarë e diplomatë të ndryshëm hynin e dilnin nga salla. Organizim perfekt, në mjedis perfekt dhe me transmetim në kohë reale në çdo TV të interesuar përfshirë PS-TV. Prezantimet e kandidatëve, pyetjet e komisionit dhe përgjigjet i gjeni fare kollaj në faqen zyrtare të internetit të PS (shih: www.ps.al). 4. Të 12 kandidatët treguan një përgatitje serioze. Secili në 15 minuta kohë shpjegoi vizionin e tij mbi rolin e Avokatit të Popullit, ndërsa pyetjet e jurisë ndihmonin në sqarimin më në detaje të konceptit të kandidatit mbi këtë institucion. Prezantimi dhe përgjigjet tregonin se secili prej kandidatëve kishte studiuar në thellësi institucionin dhe se shkalla e njohjes dhe e përgatitjes ishte e këtillë që, që të nesërmen e emërimit, çdo kandidat do mund të fillonte punën me ide dhe program të qartë, pa pasur nevojë për ndonjë periudhë disamujore njohjeje dhe familjarizimi, siç ndodh rëndom me kandidatë të marrë sefte a sade. 5. Të gjithë kandidatët reflektonin një orientim në thelb të drejtë e thuajse uniform mbi vizionin dhe idetë rreth institucionit, si dhe aftësi për t’u prezantuar me elokuencë dhe elegancë. Dallimi mes tyre ishte veçse në nuancë. Një nga këto dallime që më ra në sy, ishte prirja e disa kandidatëve, kryesisht më të rinj, për të theksuar rëndësinë që Avokati i Popullit duhet t’u japë disa çështjeve a fushave që, të ilustruara me shembuj konkretë si zgjedhjet, Gërdeci apo 21 janari, të linin përshtypjen se këta kandidatë kujdeseshin të shprehnin ndjeshmëri të njëjtë me atë të mjedisit partiak ku konkurronin dhe sikur premtonin se do t’iu dedikoheshin këtyre çështjeve. Kandidatet më të vjetër nuk shfaqnin ndonjë prirje të këtillë, ndërsa shfaqeshin mjaft më të ekuilibruar. 6. Kandidati Totozani, i cili nuk përjashtohet nga asnjëri prej vlerësimeve të mësipërme, ndonëse edhe me eksperiencë televizive, ishte ndër të paktët që nuk arriti të shtjellonte një pjesë të mirë të ideve të tij brenda 15 minutave të prezantimit. Materiali që kish përgatitur ishte kaq i gjatë dhe i detajuar, si një raport konsulenti, sa s’kish se si të mund të prezantohej i gjithi në intervalin kohor që u zbatua njësoj për të gjithë nga juria e drejtuar me korrektësi e butësi njëherësh nga deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni. Pjesës më të madhe të kandidatëve, veçanërisht atyre me përvojë akademike, iu doli, dikujt dhe i teproi, 15-minutëshi ndërsa kishin po aq a mos më shumë ide. 7. Nisur vetëm nga ky kriter, z. Totozani, jo vetëm nuk ishte më i miri por s’hynte as në gjashtëshen e parë të kandidatëve, gjithnjë sipas vlerësimit tim. Nuk kuptova dot as pse z. Totozani kishte zakonin që të shprehej shpesh në vetën e parë shumës, si: “ne besojmë…, ne mendojmë…, ne propozojmë…, ne synojmë…..”. Nga ana e saj, juria, integritetin e së cilës as nuk kam prirje dhe as nuk kam fakte ta vë në dyshim, duket se ka shqyrtuar vlerat e kandidatëve nga shumë kritere, përfshirë kriteret e njohura e të pakalueshme të maxhorancës në emërime të tjera pararendëse, ndaj dhe vendimi i saj në favor të kandidatit fitues, gjykoj se është një zgjedhje e arsyeshme. Juria kishte sfidën të zgjidhte mes një duzine kandidatesh, dallimi mes të cilëve, lidhur me kriteret thelbësore, ishte thuajse i padukshëm. 8. Pavarësisht, gjithçka atë ditë shkoi për mrekulli. Pata ndjesinë se kalova një ditë të këndshme dhe produktive. Kjo ndjesi u prish disi kur dëgjova komentet negative nga kandidatët e tjerë, pas shpalljes së fituesit nga juria, se fituesi ishte i paracaktuar dhe i paraditur. Emrin e z. Totozani, si fitues i sigurt, e dëgjova edhe unë që të nesërmen e dëgjesës në mjediset e bisedave të qytetit. Reagimi i kandidateve të tjerë, nëse ç’pretendohet është e vërtetë, është demoralizues dhe demaskues. Se cila është e vërteta, ndoshta s’do ta marrim vesh ndonjëherë, por ajo është aty dhe dihet nga protagonistët dhe plot njerëz pranë e rreth tyre. Uroj që gjithçka të jetë një komedi keqkuptimesh dhe emocionesh pas gare. Uroj që z. Totozani, i paragjykuar si Avokat i Partisë për shkak të rrethanave objektive, të tregojë gradualisht se është i Popullit. 9. Në javën që kaloi, ndërsa, përmes emërimit të Avokatit të Popullit me 127 vota nga Kuvendi, u regjistrua suksesi i parë i politikës normale, ndodhi çregjistrimi nga Grupi Parlamentar socialist i z.Kastriot Islami, një nga arkitektët e transformimit të suksesshëm të PPSH në Partinë Socialiste, anëtare të Internacionales Socialiste, parti që qeverisi për 8 vite pas krizës 1997, me rezultate të prekshme në kthimin e vendit në normalitetin demokratik e zhvillimor, si dhe krenare për qasjen moderne dhe europiane në relacionet e brendshme dhe në ato me kundërshtarin. 10. Formalisht, me mospjesëmarrjen në votim, z. Islami u çregjistrua nga Grupi Parlamentar socialist, me kërkesën vetjake të kryetarit Rama për mospjesëmarrje në votimin kundër kandidaturës presidenciale të z.Leskaj në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mungesë në fakt pa ndonjë efekt në rezultat, ndërsa PS veçse abstenoi lidhur me kandidaturën pararendëse e kur, mungesa apo votime kundër vendimit politik të grupit ka pasur para dhe pas rastit Islami. Një çregjistrim ky, zyrtarisht për shkaqe disiplinore, bazuar në një statut të rreptësuar së fundmi, tej kufijve të arsyes, pasi u fshi në Kongres c’kish në statutin e vjetër: nenet që përcaktojnë një përshkallëzim proporcional të masës ndëshkuese në raport me sjelljen e deputetit dhe rëndësinë e çështjes politike në shqyrtim. 11. Mbledhja e Grupit Parlamentar socialist u bë me dyer rreptësisht të mbyllura – aq sa nuk hynë dot disa deputete që shkuan me vonesë – e në kundërshtim me kërkesën e z. Islami, që të shpjegohej veçse në një mbledhje të hapur e të medietizuar. Në të njëjtën mbledhje, mësohet se z. Rama ka kërkuar, me tone e shprehje kërcënuese se: “… raste të tjera nuk do të tolerohen…”, si dhe që “…ata që nxjerrin jashtë ç’thuhet në grup, nuk janë veç 1% e se unë (Rama) do t’i gjej e do t’i përzë…”. Qoftë edhe si një proces thjesht disiplinor, siç pretendon z. Rama dhe mbështetësit e tij partiakë në strukturat e filtruara e të rinovuara, rasti “Islami” është diametralisht i kundërt me rastin Totozani. 12. Nëse procesi ishte shembullor në rastin e një promovimi, ai duhet të jetë me dhjetëra herë më shembullor në ndershmëri, shanse për t’u dëgjuar e transparencë, në rastin e një ndëshkimi. Problemet që kemi me zyrtarët e shtetit janë të shumta në emërim, por më të shumta në largimet masive, të politizuara, arbitrare dhe jotransparente. Kastriot Islamit iu mohua e drejta e mbrojtjes në prezencë të medies. Gjyqi partiak ishte pa dëgjesë, pa mbrojtje dhe i mbyllur. Nëse rasti i Avokatit të Popullit pretendohet se është shembulli i mirë i së nesërmes, rasti i deputetit Islami është kundërshembulli domethënës që rrëzon shembullin e pretenduar. Ndaj, Kastrioti, pas ndëshkimit radikal, politik në shkak e disiplinor në sebep, po i flet drejtpërdrejt vegjëlisë, siç dhe i ka folur dy vite me radhë, qartë, hapur dhe prerë kundër ekstremizmit opozitar të liderit të ricikluar pas humbjes 2009. Ndaj u ndëshkua. Avokat Igli hë për hë i ka folur ëmbël partisë. Ndaj u promovua. *Panorama