English

Avokati i Popullit: Detyrimi im mbrojtja e të drejtave të qytetarëve

Tiranë, 26 dhjetor 2011, NOA – Pas miratimit me shumicë votash në seancën e fundit parlamentare për këtë vit, Avokati i Popullit Igli Totozani ka marrë sot zyrtarisht detyrën për një mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Juristin Totozani e prezantoi sot në zyrën e Avokatit të Popullit, nënkryetari i grupit parlamentar socialist Namik Dokle.

Ashtu siç kishte premtuar edhe gjatë prezantimit të tij të parë në Kuvend, Igli Totozani deklaroi se do të udhëhiqej në punën e tij vetëm nga drejtësia dhe se detyrimi i tij madhor si Avokat i Popullit është mbrojtja e të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë.

Më herët Totozani kishte premtuar se do të punonte për një institucion të pavarur politikisht, një deklaratë që binte ndesh me komentet e mazhorancës për Totozanin, e cila e quajti atë një zgjedhje politike nga opozita në pozicionin kushtetues të Avokatit të Popullit.

Megjithkëtë, në votimin e fshehtë të së enjtes së shkuar, kandidatura e vetme për postin e Avokatin të Popullit, Igli Totozani, i propozuar nga Partia Socialiste u miratua me 127 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 abstenim, duke marrë kështu shumicën dërrmuese të votave, e duke bërë të përmbushej edhe premtimi i kryeministrit, që garantoi votimin e propozimit të opozitës.

Juristi Igli Totozani u mbështet nga opozita për shkak se siç tha ajo, juristi nuk ka qenë asnjë ditë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste dhe kësisoj do të mbronte në mënyrë të pavarur pozitat e qytetarit.

Avokati i Popullit Igli Totozani deklaroi në nisjen e detyrës së tij se me miratimin e Avokatit të Popullit, politika shqiptare përmbushi një nga 12 rekomandimet e Komisionit Evropian të lëna detyrë shtëpie për klasën politike, për marrjen e statusit të vendit kandidat, një shans i humbur nga vendi ynë prej dy vitesh radhazi.

Pas betimit, Avokati i Popullit Igli Totozani mori edhe urimet e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për detyrën e re.

Avokati i Popullit Igli Totozani, i njohur si pedagog i Drejtësisë dhe analist për çështjet juridike, ka një përvojë disa vjeçare në fushën e Jurisprudencës, për të cilën është laureuar në Gjenevë të Zvicrës.

mit/NOA

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi14:16 - 26 Dhjetor 2011
    Shqiperise i nevoiten reth 30 shqiptare burra e gra te nivelit Totozani,ne pozicione me rendesi begatije dhe harmonije per Shqiperine ne ndryshim dhe evolim,te plotesoje ne teori dhe praktike 12 prioritetet si e krerkon koha qe jetojme.Fakti qe shumica aprovoi Z.Totozani ne kete detyre te shenjte,deshmon se Shqiperia paska burra dhe gra qe respektojne njeriun e duhur,te cilet nuk i mungokerkan atdheut,vetem se duhen ndihmuar,jo te lihen ne hije.Pune te mbare dhe urime Z.Totozani.