English

Basha mbyll konsultat për buxhetin: Stimul për nxënësit me 10

Tiranë, 26 dhjetor 2011, NOA- Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha ka përmbyllur turin e konsultimeve në kryeqytet për projektbuxhetin e vitit 2012.

Në këtë takim të fundit, Basha prezantoi para banorëve të Njësisë Bashkiake numër 3 projektet që mbështeten me fonde nga buxheti i vitit 2012.

“Për Njësinë Bashkiake nr 3, në projektin që do t’i paraqitet të mërkurën Këshillit Bashkiak, ne kemi parashikuar këto investime. Tre rikualifikime urbane me një sipërfaqe prej afro 17 hektarësh, ndërtimin e kanalit nga rruga Vali Popi deri tek rruga Marie Kraja, rikonstruksionin e rrugës Bajram Çela, rikonstruksionin e një kopshti, rikonstruksionin e një çerdhe dhe rikonstruksionin e plotë të shkollës Niket Dardani”, u shpreh Basha, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Sipas tij në buxhetin është parashikuar edhe fondi i posaçëm për stimulimin e nxënësve me nota dhjeta, pasi siç tha ai qëllimi i bashkisë është për t’i treguar të gjithë shoqërisë dhe fëmijëve të qytetit se suksesi do të shpërblehet nga Bashkia e Tiranës.

“Për vitin shkollor 2001-2012 ne kemi planifikuar për buxhetin në vitin 2012 një fond prej 64 milionë lekësh për 1730 për nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe 380 nxënës të shkollave të mesme me nota 10. Kemi parashikuar një fond prej 14 milionë lekësh për të njëjtin qëllim për pagesën e periudhës 15 prill-qershor 2011, pagesë e cila nuk u krye nga Bashkia. Ky stimul paguhet jo vetëm për të stimuluar më të mirët dhe për t’u dhënë atyre mundësinë të vijojnë me të njëjtin kapacitet që kanë nisur, por për t’i treguar të gjithë shoqërisë dhe fëmijëve të qytetit se suksesi do të shpërblehet nga kjo Bashki”, shtoi Basha.

Mësohet se me këtë buxhet parashikohet të mbështeten, rikualifikim urban i Bllokut tek Kodra e Priftit, me një sipërfaqe prej 9,5 ha, rikualifikim urban i Bllokut “Sadik Petrela”, me një sipërfaqe prej 5 ha, rikualifikim urban i Bllokut “Qemal Stafa” dhe rikonstruksion i rrjetit K.U.Z. të këtij blloku. Ndërtimi i kanalit nga Rr.”Dalip Topi” deri në Rr.”Marije Kraja”, Rr.”Kokonozëve”, rikonstruksioni i Rr. "Bajram Cela", rikonstruksion i Kopshti nr. 1, rikonstruksion i plotë i shkollës 9-vjeçare "Niket Dardani", dhe çerdhja nr. 15 . Në buxhet janë parashikuar edhe fonde për shpronësimin e banorëve të prekur nga rikualifikimi urban i sheshit "Shtraus".

a.y/NOA

KOMENTE