Tiranë, 26 dhjetor 2011, NOA – Tregu i frutave dhe perimeve pranë minibashkisë nr. 2 në kryeqytet ishte sot në qendër të vëzhgimit nga Bashkia e Tiranës, e cila po vijon në vigjilje të ndërrimit të viteve të monitorojë trendin e çmimeve për të frenuar çdo abuzim të mundshëm, një fenomen shqetësues për konsumatorin në vitet e shkuara, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. Në terren zbritën sot Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Edmond Panariti, Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit Geron Ibrahimi, Drejtori i Policisë Bashkiake dhe përfaqësues të Tatim – Taksave.
Nënkryetari i Bashkisë bëri me dije se Task - Forca e çmimeve nuk ka konstatuar as sot abuzim me çmimet e mallrave të shportës të frutave e perimeve, duke deklaruar se vitin e ardhshëm do të hartohet, një etiketë “tip” (format), e cila do të përmbajë krahas çmimit dhe artikullin ushqimor, të cilit ky çmim i referohet, cilësinë dhe vendin e origjinës, që do të bëjë sipas tij të gjurmueshëm nga tatimet çdo produkt të shitur tek konsumatori.
“Konsumatori dëshiron të dijë edhe prejardhjen e produktit, pra është produkt vendi apo importi. Kjo i shërben pa dyshim jo vetëm transparencës ndaj konsumatorit, ndaj blerësit, por i shërben pa dyshim edhe gjurmueshmërisë së produktit. Nesër, pasnesër, çdo problem që ky produkt mund të ketë, në raport me konsumatorin, dihet edhe vendi i origjinës dhe kjo i shërben natyrisht edhe Inspektoriatit, për të monitoruar dhe gjurmuar burimin e problemit, nëse ai do të ekzistojë”, deklaroi për mediat Panariti.
Ai theksoi se mbrojtja e konsumatorit nga abuzimi me çmimin e mallrave nuk është vetëm një fushatë, por do të jetë e mirëoganizuar dhe e strukturuar, si një prioritet absolut i Bashkisë së Tiranës.
“Ne jemi këtu, siç kemi qenë edhe ditët e kaluara, për të monitoruar në vazhdimësi çmimet e tregjeve të minibashkive dhe tregjeve në përgjithësi. Konstatojmë me kënaqësi, se çmimet kanë ruajtur stabilitet. Pa dyshim ka fluksacione, në varësi edhe të afërsisë së tregut në raport edhe me qendrën e qytetit, por përgjithësisht çmimet i kemi nën kontroll”, nënvizoi nënkryetari Panariti.
mit/NOA