English

Berisha: Kina projekte zhvillimi në Shqipëri

Tiranë, 26 dhjetor 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha priti sot në takim ambasadorin e ri të Kinës në vendin tonë, Ye Hao.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, gjatë këtij takimi Berisha shprehu mirënjohje për punën e ish ambasadorit Wang Junling në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ndër të tjera Kryeministri u shpreh i bindur se edhe në vijimësi ambasadori Ye Hao dhe Republika e Kinës do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira e miqësisë tradicionale midis dy kombeve, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët.

Nga ana e tij ambasadori Hao vlerësoi transformimin e jashtëzakonshëm që ka pësuar Shqipëria gjatë kësaj periudhe, në veçanti zhvillimin galopant në të gjitha fushat gjatë viteve të fundit. Në takim u ripohua vullneti për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike, tregtare e të gjithanshme, në dobi të interesit më të mirë e prosperitetit të të dy vendeve.

Ambasadori kinez informoi Kryeministrin Berisha për një sërë projektesh që ambasada e Kinës parashikon të realizojë për periudhën në vijim në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, në kuadër të promovimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimit, kërkimit shkencor, fushën e turizmit, bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturave të rëndësishme në ndihmë të zhvillimit të biznesit e transportit, etj.

Në këtë linjë, ambasadori Hao i bëri më dije Kryeministrit Berisha edhe projektin e Bankës Kineze për Zhvillim për të financuar në hartimin e planeve zhvillimorë që qeveria shqiptare parashikon në fushën ekonomike.

a.y/NOA

KOMENTE