English

Dyndje emigrantësh në pikat doganore e porte, kthehen në atdhe për festa

Durrës, 26 dhjetor 2011, NOA – Mijëra emigrantë shqiptarë që kthehen në atdhe për festat e fundvitit janë dyndur në portat kryesore hyrëse për në Shqipëri, në Portin e Durrësit në perëndim dhe në pikën kufitare të Kakavijës në jug të vendit, ku fluksi është ende i madh, raporton korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.al.

Dyndja e emigrantëve është vërejtur që në orët e para të mëngjesit.

Në portin e Durrësit kanë mbërritur katër tragete nga brigjet italiane, nga ku janë përpunuar 3400 udhëtarë dhe 1100 automjete.

Ndërkohë pritet të mbërrijnë në orët në vijim edhe katër tragete të tjerë.

Në portin e Durrësit punohet me 32 sportele, për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve dhe për të mos krijuar konfuzione e radhë të gjata.

Por, situata në portën kryesore hyrëse me Greqinë, Kakavijë nuk paraqitet e njëjtë.

Si çdo vit edhe këtë fundviti ka një fluks të lartë, që rritet për shkak se në doganën greke punohet me më pak sportele, porse sipas të dhënave nuk janë krijuar rradhë të gjata.

Në Kakavijë në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë hyrë 4580 persona dhe 1288 mjete; ndërsa kanë dalë jashtë territorit shqiptar 2088 persona dhe 500 automjete.

Mësohet se pala shqiptare në Kakavijë punon me 6 sportele në hyrje dhe 4 në dalje; ndërsa dogana greke punon me 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, por fatmirësisht sipas autoriteteve megjithë fluksin e lartë nuk ka radhë emigrantësh.

Një fluks më i vogël emigrantësh përpunohen në pikën kufitare të Kapshticës në Korçë, ku pala greke rishtas punon me më pak sportele se ajo shqiptare dhe e Qafë Botës në Sarandë. Vijon...

mit/NOA

KOMENTE