Bruksel, 26 dhjetor 2011, NOA – Në Bruksel është rritur pakënaqësia për performancën e EULEX-it dhe mosarritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin në Kosovë, për të cilën diplomatët e vendeve anëtare kanë kritikuar punën e misionit në Kosovë, më i madhi i kësaj natyre atje.
Kritikat e para erdhën në muajin nëntor, kur në Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian u debatua për draftin e Raportit për Kosovën, të shkruar nga raportuesja Ulrike Lunacek, shkruan gazeta kosovare Koha Ditore.
Kritikët thanë se “duhet parë nëse duhet apo jo t’i zgjatet mandati EULEX-it, sepse nuk ka rezultate konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë”. Eurodeputetët pyesnin nëse ishte e arsyeshme të vijonte punën një mision i tillë, që harxhon rreth 100 milionë euro në vit të taksapaguesve evropianë, pa dhënë rezultate konkrete.
Raportuesja Lunacek tha se ajo është e gatshme të bashkëpunojë me disa nga kritikët e EULEX-it, që të kërkohen më shumë të dhëna nga ky mision, duke saktësuar se nuk ka mundësi të bashkëpunohet me ata të cilët nuk duan fare të ketë mision të EULEX-it në Kosovë.
Tashmë kur ka skaduar afati i paraqitjes me shkrim të amendamenteve në Raportin për Kosovën, deputetët kanë paraqitur një numër amendamentesh edhe për punën e EULEX-it.
Më aktivë në këtë drejtim kanë qenë deputeti suedez, Göran Farm, dhe deputetët italianë Antonio Panzeri dhe Pino Arlacchi.
Në amendamentet e paraqitura ata kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga ana e misionit të EULEX-it.
Kështu, në njërin prej amendamenteve të Panzerit thuhet se “EULEX-i ka shënuar një numër jashtëzakonisht të vogël të rasteve të korrupsionit të hapura apo të mbyllura. Korrupsioni dhe krimi i organizuar në masë të madhe janë lënë të paprekura nga EULEX-i dhe vetëm në raste të krimeve të luftës janë bërë hetime të rëndësishme”, shkruan gazeta kosovare.
mit/NOA