"Gjuha e folur dhe e shkruar shqipe ka qenë gjithnjë objekt me shumë interes jo vetëm për ne shqiptarët, por sidomos për të huajt, të cilët e kanë interpretuar dhe analizuar në shumë drejtime. Fakti që shqipja ka dy dialekte të mëdha kryesore përbën një bazë për shumë debat, gjë që nuk do të ndodhte nëse shqipja do të kishte më shumë dialekte, ashtu si edhe çdo gjuhë tjetër".
Nga Arjan Konomi
Nëse gjuha do të ishte pasuruar me fjalë nga gegërishtja, nuk do të kishim sot një gjuhë të varfër në sinonime
Debati mbi gjuhën shqipe dhe sidomos mbi gjuhën letrare shqipe që lindi nga akuzat e pavenda të kryetarit të Shtetit, Bamir Topi, ndaj kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, në lidhje me gjuhën e folur dialektore të kësaj të fundit, përfshiu media, gazetarë e opinionistë, artistë dhe organizata të ndryshme. Ishte momenti më i papërshtatshëm për të hapur një debat të tillë e me shumë mundësi, Bamir Topi bëri një deklaratë të pamenduar mirë, për të cilën sigurisht është penduar pas reagimeve të shumta negative ndaj tij.
Gjuha e folur dhe e shkruar shqipe ka qenë gjithnjë objekt me shumë interes jo vetëm për ne shqiptarët, por sidomos për të huajt, të cilët e kanë interpretuar dhe analizuar në shumë drejtime. Fakti që shqipja ka dy dialekte të mëdha kryesore përbën një bazë për shumë debat, gjë që nuk do të ndodhte nëse shqipja do të kishte më shumë dialekte, ashtu si edhe çdo gjuhë tjetër.
Ne përdorim termat ‘gegërisht dhe toskërisht’ si dy forma dialektore të së njëjtës gjuhë, por themi edhe ‘gegë e toskë’. Studiuesit e huaj përdorin shumë variantin e dytë të identifikimit për dy popullsitë që shtrihen në të dyja anët e lumit Shkumbin. Nuk dihet se cila nga këto terma gjuhësore ka lindur më parë. Kanë ekzistuar toskët dhe gegët dhe dialektet e tyre janë quajtur gegërisht e toskërisht, apo është e vërtetë e kundërta? Pra, që kanë ekzistuar emrat e dialekteve dhe nga këto kanë marrë emrat banorët e zonave që e ushtrojnë dialektin?
Ky fakt, për të cilin nuk ka burime serioze apo argumente të mirëfillta shkencore në mbështetje të njërit apo të tjetrit variant nuk është i një rëndësie të vogël, sepse përbën bazën e dallimit. Pra, kemi të bëjmë me një dallim dialektor-gjuhësor apo me një dallim etniko-kulturor? Ne si shqiptarë e përmendim vetëm si diferencim gjuhësor, por të huajt e kanë transformuar duke i dhënë kuptimin e një dallimi etnik, duke lënë përshtypjen te lexuesi ndërkombëtar që në Shqipëri ekzistojnë dy grupime zakonore e kulturore të evidencuara edhe nga gjuha.
Para disa kohësh ndodhesha në Berlin i përzgjedhur në dhjetë gazetarë të vendeve të ndryshme për një shkrim që kishte titullin "Shqiptarë dhe kosovarë; një apo dy kombe"? Tim Judah, një gazetar i njohur i BBC-së dhe specialist i çështjeve të Ballkanit, më bëri vërejtje duke më thënë se në shkrim nuk kisha përmendur dallimin gjuhësor midis shqiptarëve në të dyja anët e kufirit.
Ndërkohë që mendimi im ishte krejt e kundërta; se gjuha është elementi që na bashkon dhe jo që na ndan, aq më tepër që gegërishtja nuk është tipike vetëm në Kosovë e Maqedoni, por nga Shkumbini e sipër. Nuk e kam kuptuar kurrë pse të huajt merren kaq shumë me gjuhën tonë, sakaq Italia për shembull, ka shumë dialekte që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën dhe duken si gjuhë krejtësisht të ndryshme.
Megjithatë, asnjë nuk merr guximin të thotë që një venecian apo sicilian është më pak italian sesa një toskan. Sepse dialekti i Toskanës është vendosur, në bazë të një marrëveshjeje, si gjuhë zyrtare italiane.
Dhe gjuha zyrtare e një vendi nuk mund të jetë ndryshe sesa një marrëveshje politike. Kur u zyrtarizua gjuha shqipe u mor për bazë jo vetëm dialekti toskë, por ekstremi i këtij dialekti, përdorur në zonën midis Përmetit dhe Korçës, me shumë zanore ‘ë’ që mbushin fjalët, edhe pse shumë pak prej tyre shqiptohen sot në gjuhën letrare të folur. Ndoshta kjo zgjidhje nuk ishte e drejtë, po të kemi parasysh se pjesa më e madhe e shqiptarëve si komb, pavarësisht kufijve, flasin gegërisht.
Gjuha e sotme zyrtare shqipe, jo vetëm që bazohet në toskërisht, por edhe fjalët e shprehjet që huazohen prej gegërishtes kthehen në morfologjinë, fonologjinë dhe sintaksën e të folurit toskë, ndërkohë që dialekti gegë ka forma gjuhësore, si infiniti i foljeve, që nuk ekzistojnë në toskërisht. Nëse gjuha do të ishte pasuruar me fjalë nga gegërishtja, nuk do të kishim sot një gjuhë të varfër në sinonime.
Po ashtu, një paradoks tjetër është edhe fakti i shkronjave shqip, sepse barazojmë shqiptimin me shkronjën; ndaj dhe alfabeti ynë ka një numër të madh shkronjash krahasuar me të tjerët. Bashkëtingëlloret dyshe si ‘dh’, ‘gj’ etj., në fakt nuk janë një, por dy shkronja.
Duke iu kthyer debatit të fillimit, duhet të themi se dialektet gjuhësore nuk duhet të jenë elemente që na ndajnë, aq më keq nëse përkthehen në terma etnikë. Por duhet ta shikojmë gjuhën si një komponent thelbësor i identifikimit tonë si komb. I elementit bazë, përtej simbolikave, të të qenët shqiptar.
NOA