Mitrovicë, 26 dhjetor 2011, NOA – Nga sot nis të zbatohet Marrëveshja për lëvizjen e lirë ndërmjet Prishtinës e Beogradit e nënshkruar në Bruksel, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Qeveria e Kosovës përmes ministrit të Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi bëri me dije se marrëveshja apo aplikimi i masave të reciprocitetit do të jetë e vështirë të zbatohet shpejt në veri të Kosovës, për shkak të tarifës së lartë të sigurimit, për të cilën ka këmbëngulur Serbia.
Tarifat e sigurimit kufitar me të cilat do të pajisen qytetarët e Serbisë në rast se hyjnë në territorin e Kosovës do të kenë periudhë vlefshmërie jo më pak se 15 ditë, për arsye të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa periudha e vlefshmërisë së taksës së sigurimit kufitar për qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë do të jetë së paku një muaj.
Automjetet që hyjnë në Kosovë për 15 ditë do të paguajnë një tarifë kufitare prej 60 euro, kamionët 145 euro, minibusët 120 euro, automjetet speciale 35 euro, automjetet tërheqëse 15 euro, motoçikletat 15 euro, rimorkio 15 euro dhe automjetet e punës 50 euro.
Nëse tarifat paguhen për një vit, për automjetet shuma është 603 euro, ndërsa për kamionët dhe autobusët duhen paguar gjithsej 1680 euro.
Por këto tarifa kanë shqetësuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, të cilët thonë se ato godasin vetëm shqiptarët e Kosovës Lindore.
“Me këto tarifa goditen vetëm shqiptarët e Kosovës Lindore, ngaqë ata kanë nevojë të qarkullojnë mes kufijve Serbi-Kosovë, më shumë sesa serbët kosovarë. Në vend që Kosova për bashkëkombësit e vet të kujdeset që t’ua lehtësojë qarkullimin e lirë, ajo edhe më shumë i shtrëngon ata të integrohen në Serbi, madje edhe të asimilohen kombëtarisht. Si mund ta ruajnë shqiptarët e Kosovës Lindore identitetin, kur atyre u gjobiten paratë në emër të kalimit kufitar, për t’u takuar me të afërmit e tyre, për t’u shkolluar e për të zhvilluar biznes”, deklaron Partia Demokratike Kombëtare.
Sa i përket marrëveshjes, ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiç deklaroi se nuk pret probleme në zbatimin e saj.
Daçi tha për mediat e Beogradit se kalimi i kufirit për qytetarët do të bëhet me letërnjoftim ose me anë të një dokumenti për hyrje-dalje me kohë të caktuar vlefshmërie. Ndërsa për automjetet me tabelat ‘KS’ po ashtu do të vlejë “dokumenti për hyrje-dalje, që do të thotë se kalimi është plotësisht i lirë, shkruajnë mediat kosovare.
Sa i përket automjeteve me targa me mbishkrimin Republika e Kosovës (RKS), është e domosdoshme që, si deri më tani, të nxirret targa ‘provuese’, pasi ato RKS nuk pranohen nga ana e Serbisë, ndërsa shenja ‘KS’ ka pasur neutralitet ndaj statusit, sqaroi Daçiç.
mit/NOA