English

Operacion i përbashkët në Ballkan, kapen 20 trafikantë droge, 4 në Shkodër

Tiranë, 26 dhjetor 2011, NOA – Policia e antidrogës e pesë vendeve të Ballkanit ka nisur mëngjesin e sotëm një operacion të përbashkët kundër një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të drogës drejt vendeve të BE-së, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Në këtë operacion po bashkërendojnë aksionin në të njëjtën kohë Shqipëria, Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia.

Drejtoria e Policisë së Shtetit bëri me dije se policia e Shkodrës finalizoi operacionin Trio ndaj një grupi të mirëorganizuar për trafikimin ndërkombëtar të drogës.

Policia e Shtetit bëri me dije se operacioni “Trio” nisi në orën 06.00 të mëngjesit të së hënës. Dhe vetëm në territorin shqiptar, pikërisht në qytetin e Shkorës u kapën katër trafikantë droge, Leonard Dushi, Leonard Sterkaj, Ervis Bici dhe Agim Hasaj.

“Leonard Zef Dushi, vjeç 41, banues në Shkodër, në banesën e të cilit është gjetur e sekuestruar një sasi prej 30 gram bimë e dyshuar narkotike. Po ashtu u sekuestruan 6 aparate telefoni celular, 15 karta SIM, fatura për transferta bankare, 1 kompjuter lap top dhe 1 automjet “JEEP”.

Agim Binak Hasaj, vjeç 35, banues në Stërbeq, Malësi e Madhe, në banesën e të cilit u gjetën dhe sekuestruan 475 gram bimë e dyshuar narkotike, si dhe 111 copë fishekë luftarak, dy krëhra pistolete dhe 3 aparate telefonik celular.

Leonard Dedë Sterkaj, vjeç 27, banues në Dedaj, Malësi e Madhe në banesën e të cilit u gjetën e sekuestruan 140 gram bimë e dyshuar narkotike, 1 makineri (aparat) e cila shërben për presimin dhe ambalazhimin me vakum të lëndës narkotike, 8 aparate telefonik celular dhe 2 automjete (Wolsvagen “Golf – 5” dhe “Pasat”).

Ervis Isuf Bici, vjeç 29, banues në Koplik, Malësi e Madhe, në banesën e të cilit u gjetën e sekuestruan 520 gram bimë e dyshuar narkotike, 103 copë fishekë luftarak, 3 aparate telefoni celular, 4 karta SIM, 2 aparate komunikimi në distancë, si dhe 1 automjet “Hamer”, deklaroi zëdhënësja e policisë Laura Totraku.

Katër shtetasit u arrestuan për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe prodhim dhe mbajtje të armëve dhe municioneve luftarake.

Ndërkohë, Totraku nënvizoi se policia e Malit të Zi njoftoi se ka arrestuar 16 trafikantë në një goditje të përbashkët të një rrjeti ndërkombëtar të trafikantëve të drogës.

Ajo tha se në Bosnjë, zëdhënësja e policisë në Banja Lluka, Mirna Soja tha se po bëhen kërkime për arrestimin e disa anëtarëve të një grupi kriminal, të përfshirë në trafikimin e drogës.

Po kështu në deklaratën e policisë malazeze bëhet me dije se aksione të ngjashme policore janë ndërmarrë edhe në Kroaci e Serbi, por pa dhënë më tepër detaje.

Ballkani konsiderohet si një zonë tranzit për trafikimin e armëve dhe drogës, në drejtim të Evropës Perëndimore.

Kjo për shkak të pozitës kyç gjeografike të Ballkanit në Evropë.

Vijon...

mit/NOA

KOMENTE