Shkodër, 26 dhjetor 2011, NOA- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli nga qyteti i Shkodrës tha investimet në shëndetësi janë ndër prioritetet kryesore.
Sipas saj, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa shëndeti pasi jeta është çdo gjë njerëzit kanë.
Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, këtë deklaratë Kryetarja e Kuvendit i lëshoi në ceremoninë e përurimit të godinës së re të Spitalit Psikiatrik akut në qytetin e Shkodrës.
Mësohet se ky investim, me një vlerë prej 1 milionë dollarësh do të mundësojë akomodimin dhe përmirësimin e kushteve me standarde bashkëkohore të pacientëve që aktualisht ndodhen në shërbimin psikiatrik të Shkodrës.
Ndërtesa e spitalit, financim i Ministrisë së Shëndetësisë është me dy kate dhe shërben për 35 të sëmurë.
Topalli vlerësoi investimet e bëra nga qeveria në mbështetje të kujdesit shëndetësor ndërsa theksoi se financimet dhe projektet për këtë sistem janë ndër zërat kryesorë në buxhetin e shtetit.
Më pas, Kryetarja e Kuvendit mori pjesë edhe në përurimin e instalimit të Aparatit Skaner në spitalin rajonal të Shkodrës.
Mësohet se ky projekt vjen mes një marrëveshjeje të nënshkruar nga qeveria austriake dhe qeveria shqiptare, e miratuar tashmë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe parashikon instalimin e 6 skanerave dhe 3 rezonancave në spitalet rajonale në të gjithë vendin.
Ajo theksoi se me anë të këtyre aparaturave plotësohet edhe një angazhim i saj personal në nxitjen e grave që të bëjnë paptestin dhe mamografinë.
Kryetarja e Kuvendit shprehu një falenderim të veçantë për ekipet mjekësore jo vetëm të spitalit të Shkodrës por dhe gjithë Shqipërisë për rolin e tyre si misionar në çdo moment, 24 orë në 24 duke ofruar përkujdesje për ata që kanë nevojë.
a.y/NOA