English

Topi i kundërpërgjigjet Berishës: Do rikandidoj nëse Presidenti do zgjidhet nga populli

Durrës, 26 dhjetor 2011, NOA/ Irma Toptani – Një ditë pasi kryeministri Sali Berisha, mbrëmjen e Krishtlindjes në një rrëfim ekskluziv e akuzoi se e ka shndërruar selinë e Presidencës në një partiçkë për interesat e tij politike, Presidenti i Republikës Bamir Topi kundërpërgjigjet nga Durrësi duke deklaruar se ai nuk është apendiks i askujt, apo thënë shkurt një shtojcë politike, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Pas vizitës së tij në bashkitë e Kavajës dhe të Durrësit, që drejtohen përkatësisht nga kryebashkiakët socialistë Elvis Roshi dhe Vangjush Dako, ku ka bërë thirrje për më shumë bashkëpunim mes qeverisë qendrore dhe atyre lokale, Kreu i Shtetit theksoi se “deklaratat e politikanëve duhet të jenë në kohezion me çfarë urojnë në mëngjesin e festës së Krishtlindjes, pra dialog e komunikim”.

Presidenti Topi në një prononcim për mediat i pyetur për akuzat e mbrëmshme të kryeministrit se po cënon institucionin me ambicien politike deklaroi prerë se ai do të ketë si bibël në punën e tij vetëm Kushtetutën e vendit dhe se nuk do të përmbushë në asnjë moment orekset e partive politike.

“Pavarësisht nga sa thuhen unë jam në detyrën time kushtetuese dhe institucioni i Presidentit do të zbatojë vetëm Kushtetutën e vendit, dhe kurrsesi nuk mund të jetë apendiks i orekseve të partive politike”, u shpreh Kreu i Shtetit.

I pyetur nëse do të rikandidojë, Kreu i Shtetit deklaroi se “do të sfidoj këdo nëse do të ketë garë për President nga populli”.

Në këtë mënyrë Kreu i Shtetit përforcon kërkesën për ndryshime kushtetuese, dhe zgjedhjen e Presidentit me referendum popullor, që do të hidhte dorazi poshtë edhe marrëveshjen e bërë PD-PS në vitin 2008, që vuri në jetë zgjedhjen e Presidentit me 50+1 vota, pra me shumicë të thjeshtë, jo të cilësuar.

Por, sa i përket zgjedhjes së Presidentit nga populli që përkthehet në ndryshimin e Kushtetutës, kryeministri tha prerë se zgjedhja e Presidentit të ardhshëm pas mbarimit të mandatit të Presidentit Topi do të bëhet sipas Kushtetutës, duke refuzuar kërkesën e kreut të PS-së për një emër konsensual të propozuar me pranimin e PD-PS.

Berisha u shpreh se ndryshimet kushtetuese të bëra me pëlqimin e kryesocialistit Edi Rama, garantojnë zgjidhjen e kreut të shtetit pa kaluar vendin në ngërç dhe në zgjedhje. “Ky vend nuk mund të bëhet nëse nuk konsolidon Kushtetutën e tij. Me z. Rama ne ramë dakord që presidenti të zgjidhje 50 +1 vota, çka i dha mundësinë Kushtetutës të funksionojë, sepse përndryshe vendi do të shkonte në zgjidhje. Tani kërkohet të rikthehemi të ai varianti grek që e çoi Greqinë në zgjedhje”, tha Berisha në intervistën ekskluzive.

Berisha tha se Presidenti Topi bëri me dije mosrikandidimin pasi mësoi se PD nuk do e rikandidonte në këtë post për herë të dytë.

Mbrëmë në një intervistë për Ora news Kryeministri Sali Berisha e akuzoi Presidentin Topi se “gjatë detyrës së tij ka ndërmarrë një seri aktesh, të papajtueshme me programin e PD-së, duke shkelur parimet e mëdha programore të saj dhe faktikisht po dekonstitucionalizon institucionin e presidencës, duke e shndërruar në selinë e një partiçke të vogël”, tha Berisha.

Po kështu, kreu i qeverisë, tha se implikimi i Topit në ngjarjet e 21 janarit dhe një seri qëndrimesh të tjera, në mënyrë absolute pa asnjë bazë, bënë që ai të shkelte besimin dhe mirëbesimin e mazhorancës së djathtë që e përzgjodhi në krye të shtetit në vitin 2007.

mit/NOA

KOMENTE