English

Zbulohen 283 kg drogë në një kamionçinë

Sarandë, 26 dhjetor 2011, NOA – Afro tre kuintalë drogë, e fshehur nën shtresën e dyfishtë të një kamioni, që po shkonte drejt Greqisë janë sekuestruar nga Policia e Sarandës, raporton korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.al.

Kamioni me drogë u ndalua në orët e para të mëngjesit të së hënës në vendin e quajtur “Krane” përmes operacionit policor të koduar “Duralumini”.

Pas hetimit dy mujor efektivët e antidrogës së Vlorës ndaluan automjetin kamionçinë të tipit Mercedes-Benz me targë AA 273 AY, i cili ishte duke udhëtuar në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në karrocerinë e makinës, e modifikuar me shtresë të dyfishtë, u zbuluan 283.7 kg lëndë narkotike, Cannabis sativa, e paketuar në pako 1 dhe 2 kilogramëshe.

Falë operacionit u arrestua në flagrancë drejtuesi i mjetit, 22-vjeçari Ermal Hito Ramaj, banues në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë.

Policia e Vlorës dhe e Sarandës po punojnë për identifikimin dhe kapjen e bashkëautorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

I arrestuari është nën akuzë për prodhimin dhe shitjen e drogës.

mit/NOA

KOMENTE