Bari, 27 dhjetor 2011, NOA- Një kërkim i imtësishëm në muret e makinës Volkswagen Golf shërbeu që policia të gjejë drogën e fshehur e cila kishte si synim tregtinë në Itali.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, u desh punë që të zbulohej “arkitektura” e një 48 vjeçari shqiptar i cili u arrestua gjatë ditës së sotme në portin e Barit.
Nga kërkimet intensive u gjet rreth 3.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si heroinë e vendosur në muret e pasme të makinës së sapo ardhur nga një traget që ishte nisur në Shqipëri.
Mësohet se shqiptari u shfaq shumë i tensionuar dhe nervoz, gjë që bëri të ngjallen më tepër dyshime nga ana e autoriteteve kontrollore duke bërë që të thellohen kërkimet në mjetin që ky i fundit kishte me vete deri sa u gjet në murin e pasëm lënda narkotike.
Sipas policisë italiane thuhet se sasia e lëndës narkotike kishte si synim shpërndarjen në tregun vendas, ndërsa vlera e saj shkonte mbi 100 mijë euro.
Fill pas kësaj droga u sekuestrua ndërsa korrieri i saj u prangos dhe përfundoi në burgun e Barit.
a.y/NOA