Tiranë, 27 dhjetor 2011, NOA – “Festat janë një rast i mirë që na bashkon të gjithëve kudo në botë, por besoj se në asnjë vend tjetër, më shumë se në Tiranë nuk duket kaq qartë se si i bashkojnë festat shqiptarët”, u shpreh sot Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha gjatë drekës së shtruar nga Komiteti Shtetëror i Kulteve, me rastin e festave te fundvitit, me të gjithë drejtuesit e bashkësive fetare.
Në fjalën me mbajtur me këtë rast, Basha vlerësoi shpirtin festiv të Tiranës që përfaqësohet më së miri, në ndërthurjen e simboleve fetare në sheshin e kryeqytetit shqiptar.
Ai e cilësoi si një dhuratë të çmuar të Zotit, harmoninë dhe bashkëjetesën fetare mes shqiptarëve, të cilët sipas Bashës, sot janë të bashkuar në identitet dhe në qëllimet për një vit më të mbarë.
Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, kryetari i bashkisë Lulzim Basha siguroi drejtuesit e bashkësive fetare në vend, se në projektet e vitit të ardhshëm, secili prej komuniteteve do të gjejë tek Bashkia e Tiranës, një partner të drejtë, të ndershëm dhe të besueshëm.
“Mjafton t’i hedhim sytë në sheshin “Skënderbej”, ku me rënien e muzgut, ndriçojnë krahas njëra-tjetrës edhe Minarja e Xhamisë së Et’hem Beut, edhe Pema e Krishtlindjes, edhe Kulla e re e Kishës Ortodokse dhe ku ndërthuren këmbanat e kishave me këngën e muezinit që fton për lutje besimtarët, pra shpirti festiv i Tiranës përfaqësohet më së miri, në këtë ndërthurje të mrekullueshme, në këtë dhuratë të çmuar të Zotit, që është harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve, vëllezër dhe motra të bashkuar me festat, të bashkuar në identitet, të bashkuar në qëllimet tona për një vit më të mbarë dhe gjithsecili feston sipas mënyrës së tyre”, u shpreh Basha ndër të tjera.
a.y/NOA