English

Bashkia e Tiranës, monitorimi i tregjeve deri më 31 dhjetor

Tiranë, 27 dhjetor 2011, NOA – Bashkia e Tiranës ka siguruar qytetarët e kryeqytetit se nuk do të tërhiqet nga garantimi i interesave të tyre duke ua mbrojtur xhepat nga spekulantët që abuzojnë me çmimet.

Këtë premtim e ka përsëritur sot nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Edmond Panariti gjatë monitorimit të përditshëm të tregjeve me shumicë dhe pakicë në kryeqytet, për të frenuar abuzimin me çmimet, në ditët e festave të fundvitit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

“Nuk do të tërhiqemi, për sa kohë që jemi të bindur se u shërbejmë interesave të konsumatorëve, interesave të blerësve, për sa kohë jemi të bindur që mbrojmë xhepat e qytetarëve të kryeqytetit nga spekulantët, theksoi Panariti, duke nënvizuar se monitorimi i tregjeve do të vijojë deri më natën e madhe të ndërrimit të viteve, më 31 dhjetor.

Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve informoi se çmimet vazhdojnë të ruajnë të njëjtin nivel dhe nuk është konstatuar abuzim me to.

“Sfida jonë si Bashki, sfida ime personale është që të instalojmë kulturën e ndershmërisë, kulturën e marrëdhënieve korrekte midis blerësve dhe tregtarëve, sepse kjo është një kulturë afatgjatë. Ne do të jemi këtu dhe jemi të bindur se do të fitojmë sfidën kundër spekulantëve. Ne do të jemi për kulturën e ndershmërisë në marrëdhëniet mes blerësve dhe tregtarëve, sepse jemi të bindur se kjo është ajo që kërkojnë qytetarët, konsumatorët”, tha nënkryetari i Bashkisë.

Nënkryetari Panariti tha se qëllimi i monitorimit në tregjet e kryeqytetit nuk është marrja e masave ndëshkimore, por sensibilizimi i tregtarëve e konsumatorëve për të vendosur marrëdhënie korrekte midis tyre, mbi transparencën e çmimeve.

mit/NOA

KOMENTE