Tiranë, 27 dhjetor 2011, NOA Update – Lideri i opozitës Edi Rama reagoi me ironi pak minuta më parë ndaj analizës vjetore të Parlamentit, duke i cilësuar deklaratat me tone pozitive të Kryetares së Kuvendit si analizat vjetore në kooperativat bujqësore të epokës së monizmit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Shefi i selisë rozë reagoi në faqen e tij personale në rrjetin social Twitter, duke ironizuar në mënyrë therrëse kryeparlamentaren Topalli, për të cilën ligjet e miratuara këtë vit përbënë një bilanc pozitiv, i ngjashëm sipas Ramës me rendimentet e larta vjetore në kooperativat famëkeqe të epokës socialiste.
“Spikerja si në analizën e kooperativës dhe ligjet si kuintal për hektar, rendiment i lartë vjetor, madje paçka se opozita s'la shiun me ra!”, shkruan Rama, duke përdorur edhe gjuhën e preferuar të zonjës Topalli, atë gegënishte.
Ky koment i Kryetarit të Partisë Socialiste, erdhi pasi Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi në analizën vjetore të punës së Kuvendit të Shqipërisë se ky vit që po lëmë pas, mbyllet me një bilanc pozitiv, me 450 ligje, rezoluta e marrëveshje të miratuara.
mit/NOA
Topalli: E mbyllëm vitin me bilanc pozitiv
E mbyllim vitin me bilanc pozitiv, me 450 ligje, rezoluta e marrëveshje të miratuara, deklaroi Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina topalli gjatë takimit të fundvitit me gazetarët, ku bëri një prezantim të plotë të punës së parlamentit për vitin që pas pak ditësh do të lëmë pas, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se shprehet krenare për punën e Kuvendit duke nënvizuar se gjatë këtij viti janë miratuar ligje të rëndësishëm për vendin, duke shtuar se refreni i punës së parlamentit kanë qenë reformat.
Në analizën e fundvitit, kryeparlamentarja Topalli vlerësoi punën e javëve të fundit të këtij sesioni parlamentar, ku veçoi si tejet të rëndësishme miratimin e një sërë reformash integruese, që erdhën si rezultat i arritjes së konsensusit mazhorancë-opozitë.
Ajo nënvizoi këtu ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore, të komisionit për rregulloren e Parlamentit, si dhe miratimin e disa ligjeve të rëndësishëm që kërkonin 3/5 e votave.
“Gjatë këtij viti kemi kaluar 450 ligje, rezoluta e marrëveshje. Kemi kaluar me konsensus 4 kode. Vlerësoj ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe ngritjen e grupit të punës për Rregulloren e Kuvendit”, deklaroi zonja Topalli.
Ajo rikujtoi këtu edhe përpjekjet e opozitës për të dëmtuar parlamentarizmin, andaj shprehu mirënjohjen për të gjithë deputetët që i qëndruan Kushtetutës, si të vetmes rrugë me të cilën kapërcehen momentet e vështira.
Tani opozita u kthye në punë, tha Topalli, duke vlerësuar se ky është një detyrim që çdo deputet ka, të votojë ligjet.
Kryetarja e Kuvendit e cilësoi parlamentin si asamblenë vendimtare, duke saktësuar se kur flitet për integrimin nuk mund të ketë vend për asnjë përpjekje tjetër.
Kryeparlamentarja veçoi si ngjarjen më kryesore për Kuvendin, momentin e diskutimit dhe miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, i përllogaritur në 7 miliard dollarë.
Sipas zonjës Topalli, taksat e ulëta, privatizimet, qeveria të vogël, bënë që Shqipëria të mos shkojë në recesion, por të ketë një rritje të lehtë ekonomike, prej afro 4 për qind.
Ajo e cilësoi këtë si momentin kulmor të Kuvendit, pikërisht pse ndodhi në një moment të vështirë për vendet e Eurozonës.
Kryetarja e Kuvendit shprehu krenarinë për punën voluminoze të Kuvendit, ku sipas saj kryemotiv ishin reformat.
Gjatë sesionit parlamentar që u mbyll të enjten në 22 dhjetor, me miratimin e betimin e Avokatit të Popullit dhe Kreut të KLSH-së, u miratuan ligji “Për buxhetin e vitit 2011” si dhe ndryshimet më të fundit në të; disa nga Kodet e Republikës së Shqipërisë, që përbëjnë ligjet me 3/5; ligji “Për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale”; ligji “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” të ndryshuar”; ligji “Për noterinë”; ligji “Për formulën e privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol” sh.a. Patos”; ligji “Për tregtimin dhe mbikqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”; ligji "Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike" të ndryshuar"; ligji "Për Bankat në RSH"; ligji “Për Autoritetin e Aviacionit Civil’; ligji “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”; ligji “Për profesionet e rregulluara në RSH”; ligji “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese”; “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2010”; ligji “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”; ligji “Për shërbimin veterinar në RSH”; ligji “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare”; ligji "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve"; ligji “Për Urdhrin e Infermierit në Republikën e Shqipërisë”; ligji “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë” si dhe u ratifikuan një numër i madh marrëveshjesh.
mit/NOA