English

Bode: Shqipëria i vetmi vend në rajon me qendrueshmëri ekonomike

Tiranë, 27 dhjetor 2011, NOA – Duke iu referuar vlerësimit më të fundit nga dy agjencitë e vlerësimit të ekonomive, “Moody’s” dhe “Standard & Poor’s”, të cilat e vlerësuan ekonominë shqiptare të qëndrueshme në planin afatmesëm, ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se ekonomia shqiptare arriti t’i bëjë ballë krizës globale, duke u bërë i vetmi vend në rajonin e Evropës Juglindore që gëzoi rritje të ekonomisë me 4 për qind, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ministri i Financave bëri me dije se dy agjencitë amerikane e vlerësuan Shqipërinë në të njëjtin nivel si vitin e shkuar sa i përket aftësisë kredituese të ekonomisë vendase.

Ministri Bode foli për këtë vlerësim gjatë analizës së fundvitit, të cilën ia kushtoi pikërisht vlerësimit të agjencive “Moody’s” dhe “Standard & Poor’s”, por edhe raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Sipas Bodes, dy kompanitë amerikane vlerësojnë Shqipërinë në një moment kur për tre ekonomi në rajonin e Ballkanit jepen vlerësime negative dhe përllogaritet ulje e ekonomisë.

Kreu i Financave, nënvizoi se ky vlerësim vjen fill pas një raporti analizë të ekspertëve të FMN-së i kryer në muajin e kaluar për 6 vende të Evropës Juglindore, duke preçizuar se qendrueshmëria e ekonomisë shqiptare është rezultat i reformave të qeverisë, politikave fiskale, privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha, reforma që shënuan sipas Bodes, një rritje më të lartë të ekonomisë krahasuar me vendet e rajonit.

Ministri i Financave deklaroi se për vitin 2012 ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 4.3 për qind, duke siguruar se qeveria do të ndjekë me kujdes rritjen ekonomike dhe rishikimin e buxhetit.

“Këto përbëjnë kartolinën e urimit më të bukur që agjencitë e huaja ua adresojnë shqiptarëve”, tha Bode.

Pak ditë më parë dy agjencitë e vlerësimit të ekonomive, Moody’s dhe “Standard & Poor’s” e kanë vlerësuar Shqipërinë në të njëjtin nivel si vitin e shkuar sa i përket aftësisë kredituese të ekonomisë vendase.

Sipas agjencive të njohura, Shqipëria është vlerësuar rishtas në nivelin B1 dhe B+. Agjencitë Moody-s dhe “Standard & Poor’s” e vlerësojnë ekonominë shqiptare të qendrueshme në planin afatmesëm.

Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, agjencitë raportojnë se Shqipëria ka shfaqur një rritje të qëndrueshme ekonomike në nivelin e 4%; sektori bankar në vend është likuid dhe i qendrueshëm, i mirëkapitalizuar dhe me rritje të vazhdueshme të depozitave. Agjencitë vlerësuan se qeveria shqiptare po punon me seriozitet për të mbajtur nën kontroll dhe ulur gradualisht nivelin e borxhit publik, duke shprehur gjithashtu vlerësimin pozitiv për reformat ekonomike.

Vlerësimi vjen në një moment kur thuajse të gjitha vendet e rajonit dhe të eurozonës janë përballur me ulje të vlerësimit të profilit të riskut, apo me përkeqësim të këndvështrimit të parashikimeve afatmesme të tyre nga “stabël” në “negative”.

Por, ky vlerësim i agjencive “Moody-s dhe “Standard & Poor’s” bie ndesh me raportin e fundit të FMN-së që vlerëson se rënia e ndjeshme e eksporteve në gjashtë vende të Europës Juglindore, ndër të cilat edhe Shqipëria, janë shenjat e para të krizës globale mbi vendet e Ballkanit perëndimor.

Raporti i FMN: Shqipëria po preket nga kriza, borxhi në rrezik

Rënia e ndjeshme e eksporteve në gjashtë vende të Europës Juglindore, ndër të cilat edhe Shqipëria, janë shenjat e para të krizës globale mbi vendet e ballkanit perëndimor. Kështu thekson në raportin e tij më të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. FMN thotë se vende si Shqipëria, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë shfaqur së fundmi pamundësi për të financuar borxhin e jashtëm, defiçitin buxhetor dhe atë tregtar, një tregues ky i pasojave të krizës financiare globale. Në raport theksohet gjithashtu se varësia e ekonomive të këtyre vendeve nga kapitali i huaj ka bërë që efektet e krizës globale të japin ndikimin në shumë sektorë, duke prekur në mënyrë direkte financimin nga qeveria të projekteve, që kanë të bëjnë me shpenzimet publike. Një tjetër tregues i panikut, që ka mbërthyer këto vende, sipas FMN-së, është edhe fenomeni në rritje i tërheqjes nga bankat e nivelit të dytë të dopozitave në valutë të huaj. Ndonëse Shqipëria përmendet si një nga vendet me tregues pozitiv të rritjes ekonomike, që prej vitit 2009, parashikimet për ecurinë e ekonomisë shqiptare muajt e ardhshëm janë të zymta. Kjo për shkak të situatës në vendet e eurozonës. Raporti thotë se “gjashtë vendet e sipërpërmendura do të shënojnë ulje mëtejshme të eksporteve, ndërkohë që shton se, presioni për të mbajtur në nivelin e kërkuar borxhin publik do të frenojë edhe më shumë ritmet e rritjes ekonomike”. Fondi Monetar Ndërkombëtar e cilëson Shqipërinë si një vend të besueshëm për investitorët e huaj, por thekson se në vitin 2007, Shqipëria regjistroi nivele shumë të larta të defiçitit tregtar dhe borxhit publik. Raporti thotë se shumë shpejt edhe Shqipëria e Kroacia mund të ndjekin shembullin e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovines, duke marrë masa drastike për shkurtimin e shpenzimeve dhe shtim të taksave. mit/NOA

KOMENTE
  • Dashamir Dashamir14:18 - 27 Dhjetor 2011
    ropt skan lek me henger buk mer kurse ju hajduta mbushni xhepat.....