Prishtinë, 27 dhjetor 2011, NOA - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka shtëpinë më të madhe nga të gjithë zyrtarët publikë të Kosovës, me rreth 1 mijë metra katrorë, por nuk është në toplistën e 10 zyrtarëve më të paguar të institucioneve shtetërore të Kosovës.
Duke iu referuar listës së pagave të zyrtarëve më lartë të Kosovës, gazeta kosovare Zëri bën me dije se kryeministri Thaçi renditet i 13-ti, ndërsa zyrtari më i paguar në Kosovë është presidentja Atifete Jahjaga, e cila vijon të jetojë me qera.
Sipas kësaj liste, Thaçi ka pagën 1 mijë e 443 euro në muaj, të cilën e merr prej disa vitesh.
Sipas Zërit, Thaçi ka nisur të ndërtojë një shtëpi gjigante në periferi të Prishtinës.
Për këtë ndërtim, kryeministri Thaçi në deklarimin e pasurisë së tij në Agjencinë Antikorrupsion, ka thënë se ka marrë kredi.
Por, njeriu që merr pagën më të lartë në institucionet shtetërore, e që vazhdon të jetojë me qera është e para e Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga, e cila gëzon dyfishin e pagës së kryeministrit.
Me koeficientin e pagës 15.44, Kryetarja e Shtetit të Kosovës merr pagën më të lartë nga buxheti i Kosovës, në shumën prej 2 mijë e 837 euro.
mit/NOA