English

Më shumë se rrëzimi i Berishës

"Por pesha e kujtimeve të hidhura të qeverisjes së parë të Berishës në publik ishte ende aq e madhe, sa këtij nuk i mjaftuan rekordet e zeza të qeverisë “Nano”. Për të fituar ju desh një operacion politiko-mediatik i mirëfilltë që kishte si qëllim të ndryshonte sa të ishte e mundur imazhin e tij të vjetër. Dhe iu desh mbi të gjitha faktori LSI, dalja me vete e Ilir Metës"...

Nga Preç Zogaj

Deri me sot asnjë grupim opozitar në Shqipëri nuk i ka fituar zgjedhjet falë programit, në kuptimin që të ketë ndryshuar mendjen e votuesve duke paraqitur zgjidhje me të mira. Rrotacioni politik i pushtetit në Shqipëri, tre herë në njëzet vjet, ka ndodhur parasëgjithash për shkak të konsumimit deri në degradim të shumicës qeveritare si dhe erës së ndryshimit që shpërthen zakonisht në raste të tilla. Në vitin 1992 PD fitoi si alternativa e parë antikomuniste, pas gjysëm shekulli monizëm. Në vitin 1997, PD largohet dhe PS vjen përgjatë një krize të menaxhuar nga 6000 kaskat ndërkombëetare të operacionit “Alba”, që garantuan zgjedhjet dhe vazhdimësinë e shtetit shqiptar në një periudhë nga më të errtat e historisë sonë të re.

Në vitet 2004-2005, Berisha dhe opozita e asaj kohe shinjestrojnë rikthimin duke kalëruar abuzimet e qeverisë socialiste të Fatos Nanos me pushtetin. Sllogani “Nano ik” marrshoi nepër Shqipëri si sintezë e kulluar e kulturës së rrotacionit në ketë vend: dikush duhet të vijë ngaqë dikush duhet të ikë. Por pesha e kujtimeve të hidhura të qeverisjes së parë të Berishës në publik ishte ende aq e madhe, sa këtij nuk i mjaftuan rekordet e zeza të qeverisë “Nano”. Për të fituar ju desh një operacion politiko-mediatik i mirëfilltë që kishte si qëllim të ndryshonte sa të ishte e mundur imazhin e tij të vjetër. Dhe iu desh mbi të gjitha faktori LSI, dalja me vete e Ilir Metës.

Në këtë histori, programet kanë qenë një garniturë apo një butafori zbukuruese e mekanizmave të vërtetë që vënë në lëvizje rrotacionin e pushtetit në Shqipëri. E gjithë kjo ka patur arsyet e veta komplekse. Njëra prej këtyre arsyeve më duket më thelbësore se të tjerat: Privatizimet, remitancat (paratë që dërgojnë emigrantët), grantet, ndihmat, kreditë e buta dhe madje edhe trafiqet e ndryshme kanë qenë për shumë kohë burime konstante të ardhurash për ekonominë e vendit, pra edhe për buxhetin, pavarësisht kush ka qeverisur. Këto burime “gratis” kanë përcaktuar bashkë me lehtësinë e qeverisjes edhe modelin skematik të drejtimit dhe zhvillimit të vendit, model i cili, me ndryshime dhe përmirësime jo thelbësore, ka qenë i njëjtë nga një qeveri në tjetrën.

Politikat reale të zhvillimit, ato që projektohen nga mendje të hapura dhe kalkulohen në institucione të specializuara, kanë qënë mish i huaj në kulturën shqiptare të drejtimit. Rrjedhimisht, “gara” politike nuk ka qenë se kush propozon më shumë zgjidhje të reja, por kush po e tepron me shumë me abuzime. Thenë ndryshe, nuk ka qenë kush është më zoti dhe më i mirë se tjetri, po kush është më i keq se tjetri.

Kjo periudhë po perëndon. Mjedisi politik dhe shoqëror nuk është më siç ka qenë. Rubinetat e lartpermendur nuk janë më siç kanë qenë. Dalngadalë po rrjedhim me currila ose po shterrojmë fare. Privatizimet e asaj që trashëguam nga komunizmi po mbarojnë. Remitancat janë në rënie të vazhdueshme. Kreditë me interesa tregëtare po prevalojnë mbi kreditë e buta. Ndihma pothuajse nuk ka më. Trafiqet, për fat, janë në tkurrje. Të shtojmë këtu edhe efektet e drejpërdrejta apo anësore të krizës globale. Ekonomia shqiptare po ekspozohet çdo ditë e me qartë dhe çdo ditë e me ballazi me pyetjen “nga do të vinë paratë tani e tutje”, cilët do të jenë burimet e reja për të përballuar nevojat e shlyer borxhet? Nëqoftese këto burime nuk do të gjenden e nuk do të aktivizohen në kohë, vendi do të detyrohet të ndryshojë mënyrën e jetesës duke kufizuar kërkesat në maksimumin jetik. Shqipëria do të përfundojë në shtratin e Prokustit për të jetuar në bazë të asaj që jep, që prodhon.

Të drejtën dhe detyrimin për të kërkuar zgjidhje të reja e kanë barabar shumica dhe opozita. Qeveria është në kundërkohë, sepse ka fjetur mbi dafina gjithë këto vite, edhe pse shterrimi i burimeve financiare ka qenë i parashikueshëm prej disa vitesh. Berisha me të tijët janë të vetëdijshëm se thjesht do të shkaktonin ilaritet po të premtojnë për neser çfarë duhej të kishin berë dje. Ma merr mendja se në synimin e tyre për një mandat të tretë nuk do të mbështetën në ndonjë program të ri zhvillimi. Sidomos tani që banka Botërore u rrëzoi edhe mburrjen e madhe me sistemin fiskal- e mbanin si më të mirin, ndërkohë që është vlerësuar si një nga më të këqinjtë e planetit. Berisha do ta mbështesë synimin e tij thjesht në shumën aritmetike të zgjedhësve partiakë, sipas partive që ka e synon të ketë në koalicionin e tij.

Ka një pikpamje të përhapur në Shqipëri, sipas së cilës, zgjedhësit partiakë janë si detashmente të ngrira. Edhe për këtë shkak kali i betejës së opozitës për zgjedhjet e ardhshme mendoj se do të jetë programi i ri i zhvillimit. Nuk them aspak se nuk janë edhe antikorrupsioni, frymëzimi i shpresës dhe ngazëllimi i ndryshimit. Këto karta kanë pikët e tyre në llogarinë e përgjithshme të fitores. Por nuk mjaftojnë. Dhe nuk duhet të mjaftojnë. Lidershipi i PS-së e ka kuptuar këtë. Prandaj ka ngritur një numër të madh grupesh pune që po punojnë për programin. Efektiviteti i ketyre grupeve do të duket në produktin që do të nxjerrin. Edhe partitë e tjera aleate me PS-së duhet të thonë fjalën e tyre në këtë kantier. Nuk është fjala këtu për zgjidhje sempliciste, që kufizohen në skema të reja rishpërdarjeje të së njëjtës shumë parash që prodhon ekonomia që kemi. Fjala është për politika zhvillimi të reja, konkrete, të zbatueshme, në bazë të aseteve dhe mundësive që ka vendi në kushtet e hapjes me botën, duke u fokusuar te deti, bujqësia, turizmi, uji, infrastruktura e tjerë. Fjala është për të shtuar punën dhe punësimin. Normalisht kjo opozitë do të jetë e para që do të synojë një rrotacion politik të pushtetit ku programi nuk do të jetë një garniturë, një rrabat që shoqëron fjalimet politike, por një muzikë e gjallë që do të zgjojë masën gri të zgjedhësve dhe një “detonator” që do të çajë masën e ngrirë të elektoratit partiak.

Nuk fitohet pa program. Nuk duhet të fitohet pa program. Impulset e rrotacionit janë flakë kashte që shuhet shpejt. Programi i votuar është garancia e qeverisjes së mirë. Prandaj nga opozita e sotme kërkohet me shumë se sa bashkimi për të rrëzuar Sali Berishën. Ka mijëra e mijëra zgjedhës që nuk duan gjë tjetër. Por ata nuk janë shumicë. Rrotacioni i pushtetit kërkon doemos mijëra të tjerë që duan me shumë, duan tejkalimin e Sali Berishës, duan programe dhe zgjidhje për problemet themelore që kanë si idividë dhe si komunitete.

"Shekulli"

KOMENTE