Tiranë, 27 dhjetor 2011, NOA- Naim Hyska, polici i qarkullimit rrugor i plagosur tre ditë më parë është nisur me urgjencë drejt Janinës ditën e sotme. Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, polici u dërgua drejt vendit fqinj si rrjedhojë e rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore. Efektivi i policisë u plagos në prani të djalit të tij 12 vjeçar më 24 dhjetor te zona e 21 Dhjetorit, pasi u qëllua me armë zjarri në kokë teksa po lëvizte me makinën e tij personale. Që nga momenti i plagosjes ai qëndroi në Spitalin Ushtarak, por si rrjedhojë e rëndimit të gjendjes shëndetësore u bë edhe transportimi i tij me shpresën që ta kapërcejë situatën kritike. Pak pas mesditës së sotme ai u nis me avion drejt Greqisë, pasi siç shpjegojnë bluzat e bardha polici ka goditje të rënda në tru gjë që vështirësoi edhe kushtet e tij shëndetësore. Gjithsesi ndonëse për plagosjen e tij janë shoqëruar rreth 20 persona në polici, ende nuk flitet për një emër autori kjo për shkak të pistave ende të paqarta të ngjarjes.
Nga ana e bluve dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës, ndërsa pistë tjetër ngelet edhe ajo për arsye personale. a.y/NOA