Durrës, 27 dhjetor 2011, NOA Update – Një sasi e madhe prej 797 kg drogë e llojit Canabis Sativa janë zbuluar dhe sekuestruar të hënën në një kamionçinë, e cila po ngjitej në një nga tragetet e portit të Durrësit e kishte për destinacion Italinë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Me sa duket trafikantët e drogës kanë pritur ardhjen e fundvitit kur edhe fluksi i udhëtarëve rritet tejet për shkak të kthimit të emigrantëve në atdhe për festat, me qëllim që t’i shpëtonin survejimit të imtësishëm të policisë dhe të finalizonin dërgimin e ngarkesës së drogës.
Por, në një operacion të mirëorganizuar u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionçinës, me të cilën po transportohej lënda narkotike, 33-vjeçari Rejdi Furxhi banues në Durrës.
Furxhi u kap në pikën e kontrollit të mjeteve të Portit Detar në orën 21.00, duke tentuar të udhëtojë në drejtim të Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari.
Ai po drejtonte automjetin e tij tip kamionçinë Benz, me targa AA 078 CC.
Gjatë kontrollit të automjetit u sekuestrua sasia prej 796 kg e 700 gr lëndë narkotike e llojit Canabis Sattiva.
Droga sipas policisë, ishte e ndarë në 427 pako me peshë 1, 3 dhe 5 kg secila.
Aktualisht policia po punon për identifikimin e itinerarit të lëndës narkotike dhe përfshirjes së personave të tjerë në aktivitet.
mit/NOA