" Në një analizë të dytë, po të shohësh e analizosh së jashtmi aksionet e tij politike, që prej 8 Majit qeveria e qeverisja aktuale duket në një stanjacion dhe imobilitetit aspak frymëzues. Ndryshimet e ndrojtura në qeveri, stopimi i reformave të mëdha apo mungesa e ideve të reja në ekipin qeveritar, duket se janë tipike të një qeverisjeje që ka rënë në rutinë"...
Nga Henri Çili
Pse e do më tej pushtetin Sali Berisha? Kurrkush nuk i përgjigjet dot kësaj pyetjeje përveç Sali Berishës. Edhe ky i fundit, vështruar së jashtmi nga lëvizjet e tij politike pas zgjedhjeve të 8 Majit, duket se ende nuk e ka një arsyetim të qartë se përse e do më tej pushtetin, përveç inercisë së mbarimit të këtij mandati që i ka mbetur edhe një vit e ca. Duke deklaruar para pak ditësh në TV5 MONDE se “do të kërkonte një mandat të tretë nga shqiptarët më 2013”, në të vërtetë Berisha ka ngritur një pyetje të madhe për veten: pse e do pushtetin më tej Sali Berisha?
Në një analizë të parë, të fatit të tij politik, Sali Berisha duket me një bilanc personal vërtet të kënaqshëm për egon e tij politike. Me shumë gjasë, ka hyrë që tani ndër 3 figurat politike më të rëndësishme për historinë e shtetit shqiptar: Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha, për arsyen e thjeshtë se ka qenë vendimtar në politikë, në pushtet, apo opozitë për 20 e ca vjet; e mbi të gjitha si lider i periudhës më të mbarë të historisë së Shqipërisë, i ardhur në pushteti me zgjedhje të lira e demokratike. Ka dominuar jetën politikë për afro 20 e ca vjet; kurse jetën intelektuale e universitare të Tiranës, së paku që prej viteve ‘80; ka qenë protagonist i ngjarjeve historike të vitit 1990, i hapave të mëdhenj të Shqipërisë drejt një vendi të ri, të lirë dhe të prosperuar; ka qenë autor kryesor në integrimin e Shqipërisë në NATO, në lëvizjen e lirë të shqiptarëve në BE etj. Është rikthyer me një krenari dhe moralitet të lartë pushtet në vitin 2005, pas një rënieje të pamëshirshme nga pushteti më 1997 dhe po mbyll një 8-vjeçar të qetë në pushtet. Pra, është i përmbushur me histori, që është sigurisht ambicia kryesore e një lideri në këtë format.
Edhe pse mosha biologjike e Berishës, ku e kanë shpresën e fundit politike kundërshtarët e tij, është më se normale për politikën perëndimore, ku jeta politike në majat e saj vjen kryesisht në mosha të tilla, përsëri duhet thënë se karriera e tij, vështruar nga mosha e jetëgjatësia në politikë, është sërish në atë fazë që betejat e tij politike të ardhshme nuk mund të jenë të panumërta e të pafundme. Në këtë kuptim, për biografinë që ka dhe moshën që ka, janë të gjitha arsyet që Berisha të gjejë një motivim jo të zakonshëm për betejat e ardhshme politike. Të gjejë thuajse një motivim historik të ri.
Në një analizë të dytë, po të shohësh e analizosh së jashtmi aksionet e tij politike, që prej 8 Majit qeveria e qeverisja aktuale duket në një stanjacion dhe imobilitetit aspak frymëzues. Ndryshimet e ndrojtura në qeveri, stopimi i reformave të mëdha apo mungesa e ideve të reja në ekipin qeveritar, duket se janë tipike të një qeverisjeje që ka rënë në rutinë. Dallohet që larg, nga shumë larg, që Berisha është në një fazë ku nuk do të trazojë shumë ujëra, nuk do të prishë ekuilibra brenda mazhorancës. Në drejtim të opozitës dhe të aktorëve të tjerë jashtë mazhorancës, sërish duket se nuk kemi diçka me rëndësi. Disa kompromise të vogla me opozitën, që na i kërkon Europa dhe integrimi, ndonjë mëri a zemërim ndaj “bukëshkalit” Bamir Topi dhe asnjë e re e frymëzuese.
Kjo “qetësi” që Berisha kërkon të mbajë ngado ku ai ka influencë, sistemin në patrazim, në pritje të s’dihet se çfarë, është jo vetëm aspak karakterizuese për profilin e tij politik. Madje, ajo është edhe jashtë natyrës së politikës.
Vështruar në optikën e sa më sipër, nënvizuam se Berisha ka arsye të ndihet para dilemave të mëdha, madje më të mëdhave të jetës së vet politike: Pse e do më tej pushtetin? Pse do të dalë para shqiptarëve më 2013 për të kërkuar një mandat të tretë? Për të bërë çfarë, për të transformuar çfarë nga realiteti shqiptar, për reformuar çfarë nga ajo që shoqëria shqiptare ka ngërç e nuk po ecën përpara? Në fund të fundit, çfarë është ajo diçka historike që do ta përligjte një mandat të tretë për Sali Berishën në pushtet? Pa një gjë të tillë që ende nuk dihet se çfarë forme a përmbajtjeje ka, të paktën për momentin, është ndoshta i pakuptimtë vijimi i kësaj inercie. Për Sali Berishën vetë të parin, pastaj për shoqërinë shqiptare.
Dhe nuk është se nuk kemi nevojë për disa transformime të mëdha dhe historike të shoqërisë shqiptare në dekadën e re. Madje, kemi nevojë më shumë se kurrë. Kemi nevojë të përballojmë dhe stopojmë krizën ekonomike. Kemi nevojë për të gjetur një model e mekanizëm për ekonominë dhe zhvillimin e vendit post-tranzicion, pasi tashmë janë shterur apo janë afër shterjes faktorët e deritashëm të rritjes ekonomike. Kemi nevojë për një kontroll të territorit, apo për një administratë publike më në fund profesioniste, kemi nevojë për futjen e tregut në dy ishujt e fundit të socializmit në këtë vend: arsim dhe shëndetësi. Kemi nevojë për më shumë demokratizim dhe pjesëmarrje të shoqërisë shqiptare në institucione e vendimmarrje. Kemi nevojë që njëqind-vjetëshin e dytë të shtetit shqiptar ta nisim me përpjekjen reale për të kaluar nga një vend në zhvillim në një vend të zhvilluar.
Ndërsa kemi një opozitë që ka ngecur e gjitha në qerthullin e fatit politik të Edi Ramës e nuk po del dot; kemi një opozitë që ka hedhur në tregun politik një program skandaloz dhe me kthime prapa të tmerrshme në shumë fusha; kemi një boshllëk, kemi një mungesë frymëzimi në qeverisjen aktuale, kur kemi aq shumë nevojë për një frymëzim të ri, për dekadën e re, pasi Shqipëria e 2013-s nuk është Shqipëria e 2005-s!
Ndaj, Sali Berisha, objektivisht, gjendet pikërisht para dilemave të madha. Nga përgjigjja që ai do t’u japë dilemave, do të varet e ardhmja e tij politike. Aspak nga ruajtja e ekuilibrave të sotëm shumë të mërzitshëm në mazhorancën aktuale.