Tiranë, 27 dhjetor 2011, NOA- Drejtoresha e Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana deklaroi sot se do të ketë financim shtesë sipas arritjes së performancës dhe cilësisë së shërbimit që u ofrohet pacientëve në Qendrat Shëndetësore.
Në fjalën e saj Hana tha se me vendim të Këshillit Administrativ të ISKSH, u miratuan kontratat e reja me Qendrat Shëndetësore për vitin 2012.
Sipas saj, me qëllim përgjigjen në kohë ndaj ankesave dhe problemeve të pacientëve që depozitohen në kutinë e ankesave që është e pranishme në çdo qendër, është vendosur si detyrim që kutia të hapet një herë në javë.
Hana u shpreh gjithashtu se reforma në shërbimin shëndetësor parësor e nisur në vitin 2007 po jep frytet e saj edhe sa i takon pagesës së personelit mjekësor, i cili, për të pestin vit radhazi, shpërblehet në bazë të punës së kryer dhe cilësisë së shërbimit që u ofron pacientëve.
“Mbështetur në realizimin e pritshëm të treguesve për vitin 2011, rezulton se 416 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor të përfitojnë edhe deri në një pagesë tjetër, kundrejt realizimit të treguesve të performancës dhe cilësisë. Për 6/mujorin e dytë të këtij viti, parashikohet të shpërndahen rreth 310 milion lekë. Nga ky fond përfitojnë rreth 9350 punonjës të QSH, nga të cilët rreth 2000 mjekë familje e të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë, sanitare, shofere, ekonomiste”, u shpreh ndër të tjera Hana.
a.y/NOA