Tiranë, 27 Dhjetor 2011 NOA/Rid Bulku – Kritiku i njohur Adriatik Kallulli është ndarë nga jeta pasdreken e sotme, pas një sëmundjeje që vuante prej disa kohësh.
Një ndër të paktët emra të kritikës së artit dhe letrave shqipe, Adriatik Kallulli vdiq në moshën rreth 70 vjeç. Ai ishte pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura për shumë vite dhe ishte përqendruar si lektor për lëndët e aktrimit.
Më poshtë mund të lexoni një esse me titull “Fijet e dridhshme të artit në vetëdijen e Adriatik Kallullit” nga Prof. Dr. Jasif Papagjoni, me disa radhë për librin "Pema e jetës": Si shihen të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e kritikut Kallulli. Stili dhe gjuha e njeriut me shpirt poeti
Fijet e dridhshme të artit në vetëdijen e Adriatik Kallullit
Ai është pedagogu brilant, pa përqindjet e lokaleve apo mitmarrjeve të pista në territoret e Akademisë së Arteve. Prandaj e duan. E si mund të rrojë ndryshe ky njeri në këtë jetë, veçse të pijë prej saj kupën e gëzimit dhe të helmit, mallëngjimin dhe shpërfilljen, dashurinë dhe urrejtjen, të parat nga sofra e letërsisë dhe artit, të dytat nga llubëtira e tutorëve të pacipë Prof. Dr. Jasif Papagjoni Nuk e quaj me vend të nis e të flas për librin "Pema e jetës" të Prof. Dr. Adriatik Kallullit, qoftë dhe të jap një mendim fluturak a diç tjetër si një rezyme, pa thënë më parë se ç'është Adriatik Kallulli për mua dhe brezin tim. Ai ka qënë pedagogu im dhe i mijra të tjerëve, siç vazhdon të jetë. Ishte kritiku fjalë-zjarrtë, i shlirët, energjik, ngarendës, vrullues, dhe tejet i sinqertë, tejet i çiltër, si një fletë e bardhë, që ushqeu dhe brumosi, pse jo, vetëdijet tona si kritikë të rinj për të vrapuar, si edhe ai, nëpër fushëtirën dhe gërxhet e garës së mendimit estetik, të qasjes analitike, të hetimit shkencor, për të punuar mundësisht si ai (bash si një lëronjës i palodhur) në ugarët e vështirë e humbullues të dijes, të letërsisë, të arteve. Qytetari, profesori dhe kritiku-poet E kam në sy e në vesh fjalën e tij plot patos në leksionet gjatë studimeve universitare, fjalë aspak të përthara nga zhegu i didaskalive, i skemave e formulave të vdekura, i kompilimeve të atrofizuara e citimeve të budallallepsura, të kopjuara nga tekste të huaja, doktrina shterpe, leksione të mbajtura me nxit nëpër universitetet e Lindjes. Përkundrazi, ato ishin dhe vijojnë të jenë fjalë që rrjedhin nga shpirti i tij përherë i dashuruar me vlerën sublime të letërsisë e arteve shqiptare. Një fjalë kësilloji e hasa edhe në librin "Pema e jetës". Adriatik Kallulli ishte dhe është për letërsinë shqipe kritiku-poet. Unë nuk mund ta hamendësoj dot atë pa "fluturimet" nëpër lëndinat e mendimit filozofik, nëpër mijra libra, emra, citime, bëma, gjëza. Një mendje që s'mund të rrijë dot në një vend, që grish dhe grishet nga ndjesia për diskutim, polemikë. Një imagjinatë që veç prodhon e riprodhon. Është kjo arsyeja pse ai e sheh çdo artefakt pikërisht si "brenda vetes", si të "tijën", jo si të "botës". Letërsia dhe arti janë shtëpia e tij, jo avllia. Dhe ky është monenti introjektiv i kritikut që e përthith lëndën fillimisht në vetëdijen e vet dhe mandej e qit atë të risemantizuar, të riformësuar, ku doemos gjen edhe copra shpirti e hapësirash mentale nga shpirti dhe hapësira filozofike e tij. Adriatik Kallulli është kritiku që flet për të tjerët nëpërmjet vetvetes, duke e shndërruar këtë "vetvete" në instrument të objektit studimor, në "katalizator", në "katedër", në "partiturë" e "melodi". Para viteve '90 Adriatik Kallulli ishte, mbase, i vetmi që aplikoi me sukses këtë tipologji kritike, këtë filtër aksiologjikik, në një klimë ku skemat logjike dhe racionalizmi doktrinor mbinin si gjëmbaçë në vetëdijet tona estetike e kritike duke rrafshuar gjithçka. Kësaj ane të tij unë i jam përfalur personalisht. Dhe i përfalem. Edhe sot, kur tash jemi kolegë e këmbejmë ndonjë fjalë duke pirë së toku kafe, ai s'rresht, ai s'lodhet, ai s'mëngon të flasë e të flasë pafund, me pasionin e parë të rinisë, gjithpo për atë, të dashurën e njëherëshme e të përherëshme, letërsinë dhe artet. Atë e rrethojnë studentët dhe studentet kudo që është, i blatojnë dashuri, respekt, gati përgjërim. Në rrasht të shpirtit jam bërë, ndonjëherë, edhe xheloz: Çfarë mjalti paska ky Adriatik Kallulli që i thith kështu që të gjithë si bletët rreth vetes? E di: është shpirti i tij i bardhë, kultura e tij e gjerë, përkushtimi i "menjëhershëm" duke humbur orë të vyera për t'i ndihmuar studentët, "dorëzimi" pa kushte ndaj instinktit të shpjegimit si një pedagog meritor që është, instinktit për ta dhënë "pa pare" dijen tek të tjerët, instinkti për t'iu gjendur tjetrit. Ai është pedagogu brilant, pa përqindjet e lokaleve apo mitmarrjeve të pista në territoret e Akademisë së Arteve. Prandaj e duan. E si mund të rrojë ndryshe ky njeri në këtë jetë, veçse të pijë prej saj kupën e gëzimit dhe të helmit, mallëngjimin dhe shpërfilljen, dashurinë dhe urrejtjen, të parat nga sofra e letërsisë dhe artit, të dytat nga llubëtira e tutorëve të pacipë, injorantë dhe harbutë të realitetit shqiptar, të cilët po e administrojnë kaq keq energjinë e këtij populli. Adriatik Kallulli aktualisht nuk ka shtëpi, por ka një tempull ku ai përfalet (që quhet letërsi dhe arte) dhe kryen ritualin e sektit të tij çudak, kokëshkretë, "donkishotesk", si një nga fëmijtë e pasionit të pamort (që quhet kritikë letrare dhe artistike). Adriatik Kallulli, qoftë pse në kësi kushtesh që i kanë imponuar bjerrakohjësit politikë, është, megjithatë, një nga pjesët më të pastra, më të paparagjykuara të energjisë intelektuale, dje dhe sot, dhe përherë. Unë nuk do të gjeja përcaktim më të bukur, më dinjitoz, që i ka bërë atij një tjetër dinjitar i mendimit shqiptar, siç është gjuhëtari e shkencëtari i njohur Jup Kastrati, në letrën që ky i ka shkruar pas artikullit të A. Kallullit "Monument i mirënjohjes shkencore, "Historia e albanologjisë" e prof. Dr. Jup Kastratit". Në këtë letër, ndër të tjera thuhet: "Ju ju ka pajisur natyra me aftësinë e njeriut që ka si dhunti të vetën të paimitueshme forcën e shprehjes, ekspresivitetin, leksikun adekuat e të larmishëm, formën tërheqëse, të bukur, elegante, stilin energjik konician, por me brendi të shëndoshë, me përmbajtje plot brumë, me logjikë të mprehtë, me inteligjencë jashtëzakonisht të rrallë. Mënyra e të shkruarit tuaj më kujton thënien proverbiale të francezit të përmendur Buffon: "Le style c'est l'homme meme". Nga vetvetja tek të tjerët Çdo libër, sadoqë për objekt ka një tjetër, është pohim i vetvetes, i mendimit dhe ndërgjegjes tënde në raport me objektin studimor. Edhe libri "Pema e jetës" e A. Kallullit është përthyerje shpirtërore e vetanake e studjuesit tonë të njohur kundruall vlerave e personaliteteve të zëshme letrare e artistike të traditës sonë. Në një pikëpamje, ai është një dialog i shqetësuar për kohën dje dhe kohën sot, për letërsinë dje dhe letërsinë sot, për rrezonancat dhe rikuptimësimet që merr kjo apo ajo vepër, ky apo ai autor i mirënjohur në rrjedhën e viteve, veçanërisht në shoqëritë e hapura e demokratike; është, më në fund, shpirti i kritikut dhe inteklektualit që na fton për diskutim në studjon e tij. Thërmokla plot dhimbje të këtij shpirti vijnë e bëzajnë edhe në faqet e librit "Pema e jetës". Ndaj, si një vijë gjithëpërfshirëse, përçonjëse, tejshkuese e librit është pikërisht raporti i intelektualit me kohën e vet, një raport ky këlthitës, tepër dramatik për rrethanat e sotme, por dhe të djeshme, dhe të gjithherëshme. Sepse intelektualët e vërtetë, siç janë emrat e njohur të letrave shqipe që merren në analizë, ashtu si dhe vetë A. Kallulli, janë ngaherë në opozitë me pushtetin, terapistë të palodhur të ndërgjegjeve të shqetësuara, prijës procesesh, profetë e mëkues të ardhmërisë, kirurgë të çibanëve dhe indeve të gjymta në trupin e shoqërisë, shërues të lëngatave të popullit të tyre, mesazherë të funksionalizuar si "Mesi" në artikulimin që ata u bëjnë parimeve të reja, ligjërues të një "Dhiate të re" morale e sociale, që rrënjëzohet pikërisht në rrafshin më sipëran të vlerës, në bulbin e shpirtit të kombit. Pikërisht këtë apel, të përcjellë me nerv e shqetësim në radhët pasionale të librit të A. Kallullit, unë e kam hasur tej e tej vështrimeve të tij historiografike, analitike dhe estetike mbi personalitetet më të shquara të kombit tonë në fushën e letrave, si tek artikujt dhe esetë për Naim Frashërin, Migjenin, Faik Konicën, Fan Nolin, Gjergj Fishtën, Andon Zako ]ajupin, Lame Kodrën, Odise Paskalin, Abdurrahim Buzën, Petro Markon, Skënder Luarasin, Mark Gurakuqin etj. Këto figura dritëlëshuese të shqiptarizmës dhe mbrothtësisë, të qytetarisë dhe pastërtisë morale, të fisnikërisë dhe guximit; këta rishtarë të përjetshëm të lirisë dhe përparimit të kombit tonë, vijnë në optikën gjakndezur të prof. Kallullit pikërisht si të tillët, si flakëza qiriu e pishtarë drite në udhën plot terr, pusi, kthina e prapaskena,, kur fatet popullit dhe vendit jo pak herë lëviznin nëpër tavolinat e bixhozit politik afër dhe largë kufijve. Ai i shikon këta shkrimtarë të mëdhenj si tharmin ngjizës të qënies sonë kombëtare, si njerëz të vetëkryqëzuar në "Golg-otën" e aktit sublim të krijimit dhe të qytetarisë, si pjesa e përzgjedhur, elitare e kombit, gjithashtu si referenca e shëmbëllime përtëritëse, prej nga ne, dhe të tjerët pas nesh, gjejmë e do të gjejmë forcë të riciklohemi, të qëndrojmë, të ecim më tutje monopateve plot të papritura të historisë. Duke qënë gati si një burim energjie në riaktivizimet e mendësive që përfaqësojnë këto "katoda" të kombit, pata mbresën e mirë se trajtesat estetike e kritike të prof. Adriatik Kallullit në librin e tij mëtojnë të riakumulojnë bateritë shpesh herë të shkrehura të ndërgjegjeve tona disi të topitura, jo vetëm dhe përjashtimisht estetike, kritike e letrare, por, siç e përmenda kryeherit, edhe në një fushëpamje civile, filozofike, diturake, politike, çka mbrihet natyrshëm tek vetë ideali kombëtar si i tillë. Pikërisht ky mëtim më duket se i bën nder optrisë kritike të prof. Kallullit, duke qëndruar përsipër saj bash si ato aureolat mbi kokat e shenjtorëve plot dritë e purpurim. Dhe këtu unë veçoj një nga spikamat origjinale të librit "Pema e jetës", tek i cili gërshetohen bukur mirë aspektet mirfilli letrare, artistike dhe estetike të një individualiteti a dukurie të dhënë me ato historike, qytetare, mbarëkombëtare, të shqyrtuara tanimë si korpuset solide të inteligjencies dhe atdhetarizmit. Risemantizimi i teksteve të "shenjtëruar" Nuk mund të them se e njoh aq thellë letërsinë shqipe sa prof. Kallulli, ashtu siç nuk mund të them se jam vetëm një dashamirës, amator a fillestar në vlerësimin a kuptimin historiografik e estetik të saj. Por dua ta them "menjëherë" se autori nuk hyn në kështjellat epike të letrave shqipe si një besimtar i autosugjestionuar nga reliktet e shenjta, ikonat dhe "kodikët" purpuror të saj. Sigurisht, edhe ai ka një autosugjestion, por ky është ndryshe, i një tjetër kahjeje. Është gëzimi, çudia dhe mrekullia e zbulimit të kuptimeve të reja mbi tekstet e vjetra, në ata që quhen autorë klasikë të letërsisë shqipe. Dhe kjo s'ka ardhur aq nga hetimi i përthelluar i vlerave tashmë të "ngrira", të "sanksionuara", "antologjike" të kësaj letërsie. Jo. Syri i Kallullit ka shpuar tutje perdes, tutje "shenjtërimit", duke zbuluar aty gjësende të reja, optika të reja, kuptime të reja, të paartikuluara më pare, që vijnë natyrshëm pas rënies së perdes së hekurt të komunizmit ortodoks doktrinor shqiptar në fillimvitet '90. Ky risemantizim i teksteve, që nis nga idetë dhe përfundon tek elementët filigranë të formës e teknikave shkrimore, është sot, siç dihet, një nga pistat eseistike më të parapëlqyera, por dhe ato më sfidantet, në kritikën botërore, prandaj dhe qasjet e prof. Kallullit mua më kanë lënë mbresë të thellë bash për këtë aspekt delikat. Kjo kërkon mençuri, studim të thelluar, ballafaqim, gati-gati aplikimin e metodologjisë së studimeve krahasuese, më të vështirës të këtij lloji. Sepse duhet të përqasësh dy realitete të konvertuara, tekstin e djeshëm (tok me rrethanën historike bashkëshoqëruese) me atë që quhet "metatekst", pra rikuptimësimin e shënjave të djeshme në rrethanën e avancuar të perceptimit të sotëm, tashmë nga një lexues tjetër, cilësisht i ndryshëm nga ai i mëparshmi kur edhe u shkruan kryeherit veprat e njohura letrare që merren në analizë nga kritiku A. Kallulli. Karakteri idiomatik i dekodifikimit të teksteve të moçme s'është fort i lehtë…
Mua, p.sh. më ka emocionuar mënyra se si shikohen vjershat "biblike" të Fan Nolit duke u dhënë kuptimeve të tyre universale, gjithpoaq kontekste bashkëkohësie. Krejt Noli në syrin e Kallullit është martiri i qytetarisë shqiptare, por edhe mjeshtëri i vargut, i rimës, i ritmit, një mrekulli dhe përsosje që a do të arrihet vallë? Politikani dhe artisti flenë paqësisht tek personaliteti i tij poliedrik. Komentet për "Hymnin e flamurit" apo elegjinë postmortum kushtuar Luigj Gurakuqit "Syrgjin-vdekur", janë shëmbëlltyra pasionale, gjithashtu mprehtësi intelektuale për të kumtuar thelbet e poezisë noliane mëvetësisht, dhe të Nolit gjithësisht. Konica për Kallullin nuk është vetëm "Enciklopedia shëtitëse", por edhe hidhnaku elitarist, i papajtueshëm me asnjë kohë, gjithherë me kritikën e mprehtë majëbuze, të pamëshirshme, çmistifikuese, me gishtin në plagët e hapura që dhembin, dhe jo mbi "fashetat" glorifikuese për t'i mbyllur këto plagë, që syri i botës kinse "mos t'i shohë". Jo. Konica për Kallullin mbetet ndërgjegja evropjane e shqiptarëve, një ndjesi tjetërsoj, me sensin e tij ironik e sarkastik; terapia më e efektshme kundër padijes, korrupsionit, mburrjes, tam-tameve.
Nuk është e lehtë të flasësh për Naim Frashërin, Jeronim De Radën, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën pa kumtuar diçka të re rreth krijimtarisë së tyre. Në artikujt kushtuar shkrimtarëve në fjalë autori e kërkon të renë, më së shumti, në riaktivizimet sociale të ideve të pohuara më parë, porse tanimë në dimensionet e reja që ato fitojnë nga momenti komunikues me lexuesin e sotëm. Mesa duket vetëm "kuajt" ndryshojnë, sepse kalorësit janë gjithpo ata, mjeshtrit e pavdekshëm të fjalës shqipe, fjalë që askurrë nuk humbet, nuk tretet, veçse rivlerësohet nga optika të reja. Po kjo linjë vijon me Migjenin tek "Të birt' e shekullit të ri" ose në artikullin "Ngadhnjim ndërgjegjeje dhe mendimi të lirë"; më tutje me Lazgush Poradecin dhe Odhise Paskalin, me Lame Kodrën dhe Skënder Luarasin, me Petro Markon dhe Mark Gurakuqin.
Dy radhë shtesë Pena e Adriatik Kallullit është një penë përgjithësisht e shqetësuar. Por ja, kalojnë dallgët e zëmërimit, të mllefeve të grumbulluara, dhe herë-herë kritiku qetohet, bëhet lirik, poetik, i ndjeshëm si fëmijë përpara një bukurie arti që ia bën më sy; nis e thotë diku-diku edhe ca gjëza, anekdota, historiza e shaka, duke i dhënë një tjetër frymë librit e duke e bërë më komunikues. Ky është stili i tij dhe jashtë atij ai s'mund të dalë dot. Edhe kur kritiku bën përshkrime, më saktë përthellime e përbirime në tablonë e njohur kompozicionale "Refugjatët" të Abdurrahim Buzës, sërish ai gjakon të shkojë më tutje, të bëj motërzime me realitetet e fundme historike të popullit shqiptar dhe të Kosovës përgjithësisht, të ngre, madje, një përmendore qëndrese, të shqiptojë e të artikulojë mesazhin e ardhur nga shekujt se, sado tragjik qoftë fati ynë, Zoti s'na braktisi; sepse as ne s'e braktisëm vetveten, truallin ku kemi lerë, përkundrazi e adhuruam atë si nënë e babë, ndaj dhe mbetëm e do të mbetemi përjetësisht aty. Shpresa për më mirë, për më mbarë, në letërsi e në arte, në politikë e në jetë - kjo shpresë, kudo e kurdo, është aty, midis rreshtave të librit, nuk fle, nuk rresht, por drithëron, jeton. Lexojeni dhe do ta ndjeni!…