English

Stefanoviç: Bisedimet me Kosovën, pas Vitit të Ri

Beograd, 27 dhjetor 2011, NOA - Kreu i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, ka bërë të ditur se dialogu do të vazhdojë pas Vitit të Ri, po qe se "pala tjetër ndryshon qëndrimin e saj rreth Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara".

“Sipas të gjitha gjasave, pas Vitit të Ri do të vazhdojmë negociatat me Prishtinën. Por, për të ardhur deri te një gjë e tillë duhet të qartësohet situata rreth Rezolutës 1244”, ka thënë Stefanoviç për mediat serbe. Sipas tij, pala serbe kërkon përfshirjen e Rezolutës së OKB-së në përfaqësimin e Kosovës.

Duke komentuar zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, ai ka thënë se qytetarët, së shpejti, nuk do të paguajnë sigurimin e makinave në pikëkalimet me Kosovën, pasi, siç është shprehur, shoqatat e sigurimeve të të dyja palëve do të nënshkruajnë marrëveshje.

Beogradi ka vendosur tarifën prej 60 eurosh për kosovarët, të cilët duan të qarkullojnë në shtetin serb - vendim, të cilit Prishtina zyrtare i është përgjigjur me reciprocitet.

NOA/RFE

KOMENTE