English

Topalli: E mbyllëm vitin me bilanc pozitiv, refreni ynë reformat

Tiranë, 27 dhjetor 2011, NOA – E mbyllim vitin me bilanc pozitiv, me 450 ligje, rezoluta e marrëveshje të miratuara, deklaroi Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli gjatë takimit të fundvitit me gazetarët, ku bëri një prezantim të plotë të punës së parlamentit për vitin që do të lëmë pas, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se shprehet krenare për punën e Kuvendit duke nënvizuar se gjatë këtij viti janë miratuar ligje të rëndësishëm për vendin, duke shtuar se refreni i punës së parlamentit kanë qenë reformat.

Në analizën e fundvitit, kryeparlamentarja Topalli vlerësoi punën e javëve të fundit të këtij sesioni parlamentar, ku veçoi si tejet të rëndësishme miratimin e një sërë reformash integruese, që erdhën si rezultat i arritjes së konsensusit mazhorancë-opozitë.

Ajo nënvizoi këtu ngritjen e Komisionit të reformës zgjedhore, të Komisionit për rregulloren e Parlamentit, si dhe miratimin e disa ligjeve të rëndësishëm që kërkonin 3/5 e votave.

“Gjatë këtij viti kemi kaluar 450 ligje, rezoluta e marrëveshje. Kemi kaluar me konsensus 4 Kode. Vlerësoj ngritjen e Komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe ngritjen e grupit të punës për Rregulloren e Kuvendit”, deklaroi zonja Topalli.

Ajo rikujtoi këtu edhe përpjekjet e opozitës për të dëmtuar parlamentarizmin, andaj shprehu mirënjohjen për të gjithë deputetët që i qëndruan Kushtetutës, si të vetmes rrugë, me të cilën kapërcehen momentet e vështira.

"Tani opozita u kthye në punë", tha Topalli, duke vlerësuar se detyrimi që çdo deputet ka, është të votojë ligjet.

Kryetarja e Kuvendit e cilësoi parlamentin si asamblenë vendimtare, duke saktësuar se kur flitet për integrimin nuk mund të ketë vend për asnjë përpjekje tjetër.

Kryeparlamentarja veçoi si ngjarjen më kryesore për Kuvendin, momentin e diskutimit dhe miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, i përllogaritur në 7 miliard dollarë.

Sipas zonjës Topalli, taksat e ulëta, privatizimet, qeveria të vogël, bënë që Shqipëria të mos shkojë në recesion, por të ketë një rritje të lehtë ekonomike, prej afro 4 për qind.

Ajo e cilësoi këtë si momentin kulmor të Kuvendit, pikërisht pse ndodhi në një moment të vështirë për vendet e Eurozonës.

Kryetarja e Kuvendit shprehu krenarinë për punën voluminoze të Kuvendit, ku sipas saj kryemotiv ishin reformat.

Gjatë sesionit parlamentar që u mbyll të enjten në 22 dhjetor, me miratimin e betimin e Avokatit të Popullit dhe Kreut të KLSH-së, u miratuan ligji “Për buxhetin e vitit 2011” si dhe ndryshimet më të fundit në të; disa nga Kodet e Republikës së Shqipërisë, që përbëjnë ligjet me 3/5; ligji “Për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale”; ligji “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” të ndryshuar”; ligji “Për noterinë”; ligji “Për formulën e privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol” sh.a. Patos”; ligji “Për tregtimin dhe mbikqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”; ligji "Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike" të ndryshuar"; ligji "Për Bankat në RSH"; ligji “Për Autoritetin e Aviacionit Civil’; ligji “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”; ligji “Për profesionet e rregulluara në RSH”; ligji “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese”; “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2010”; ligji “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”; ligji “Për shërbimin veterinar në RSH”; ligji “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare”; ligji "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve"; ligji “Për Urdhrin e Infermierit në Republikën e Shqipërisë”; ligji “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë” si dhe u ratifikuan një numër i madh marrëveshjesh.

mit/NOA

KOMENTE