Athinë, 27 Dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku – Ilirjan Shaholli tashmë në pranga dhe Odise Zyberi shpallur në kërkim, dy të rinjtë shqiptarë që shihni në këto foto, ishin bërë tmerri i qytetarëve dhe bizneseve të Athinës duke kryer rrëmbime të njëpasnjëshme me mjete të posaçme “pune” që ju i shihni në foton tjetër. Këto rrëmbime që precipitonin në pengmarrje, kishin një qëllim, plaçkitjen e dhunshme që ka lënë me trauma të paktën dhjetë qytetarë grekë.
Korrespondenti i agjencisë NOA ka siguruar fotot e të arrestuarve dhe të materialeve të sekuestruara dhe citon burimet zyrtare policore në kryeqytetin grek, Athinë të thonë se me kapjen dhe prangosjen e emigrantëve shqiptarë u mbyll cikli i shëmtuar i një serie rrëmbimesh e grabitjesh mizore.
“Veprat” e të dyshuarve kryheshin në zonat luksoze si Ipokratos, si dhe Kanadritit dhe Afidnes në Athinë, nga Ilirjan (Ertis) Shaholli, 23 vjeçari tashmë në pranga dhe Odise Zyberi 25 vjeç, shpallur në kërkim. Një femër 33 vjeçare po ashtu është arrestuar si përkrahëse e të dyshuarve.
Gjithçka erdhi nga policia e Athinës përmes një operacioni të posaçëm. Por policia thotë se është në aksion e sipër për vënien në pranga edhe të tre agresorëve të tjerë.
Nga hetimet e kryera, janë zbardhur të paktën dhjetë rrëmbime të degjeneruara në grabitje të dhunshme që policia thotë se bëheshin përmes strukturimit të një bande të armatosur dhe të organizuar.
“Banda shqiptare ishte tejet e dhunshme në krimet që bënte. Prej kohësh ata sulmonin njerëz në mes të rrugës, në orare të ndryshme të ditës dhe natës dhe pasi i dhunonin u plaçkitnin gjithë ç’kishin”, tha një zyrtar i policisë së Athinës në sektorin antikrim.
“Momentet ideale ishin kur hynin apo dilnin nga banesat ose bizneset e tyre”, shtoi policia. Viktimat rrëmbeheshin me dhunë, duke përdorur armë zjarri dhe thika, futeshin në makinë dhe me sy të lidhur, dërgoheshin në një banesë që përdorej posaçërisht për të mbajtur peng dhe plaçkitur viktimat.
Autorët pasi i rrëmbenin dhe i dërgonin në shtëpinë e krimit, një banesë e braktisur në Afidne, jo larg zonës ku kryheshin rrëmbimet, i mbanin lidhur dhe i plaçkitnin paratë, sendet e çmuara, celularë dhe çdo gjë tjetër që e mendonin si të vlefshme për grabitje dhe më pas i linin të lirë, - thanë zyrtarët e policisë së Athinës.
Shtëpia e cila u bastis nga policia, u konstatua se përdorej nga autorët me qëllimin e vetëm, mbajtjen peng të viktimave të tyre përgjatë minutave të grabitjeve, depozitimin e plaçkitjeve të kryera dhe mbajtjen e sendeve të forta, armëve dhe parave që fitonin.
Policia theksoi se nisur nga reagimi popullor në Athinë, për shkak të sulmeve të dhunshme, vendosi të publikojë identitetet e plota të tyre dhe fotografitë, duke dashur të nxisë qytetarët që të denoncojnë raste të tjera ende të pazbardhura nga grupi hetimor.
Në kontrollin që iu bë shtëpisë së braktisur, u gjetën dhe sekuestruan si prova materiale një pistoletë, pajisje të ndryshme, ora dore, telefona celularë, sende elektronike dhe të tjera.
Policia arriti të lokalizojë banesën e 23 vjeçarit Ilirjan Shaholli ku gjeti sende të tjera të plaçkitura. Pak orë më vonë, është ushtruar kontroll në banesën ku jetonte një 33 vjeçare, mike e Shaollit ku po ashtu u gjetën “trofe” grabitjesh. Edhe kjo e dyshuar u arrestua.
Policia tha se ka zbardhur deri tani rrëmbim e grabitje të armatosur në datat 13, 14, 19 e 24 nëntor në zonat e Afidnes dhe Kapandritit, si dhe më 1, 8, 15, 17 dhe 22 dhjetor në zonat e Asprohori Aulonas, Ipokratos, Mikrohori Atikis, Dhrosopigi Afidnon, etj.
Ndaj Shahollit të arrestuar dhe Zyberit në kërkim, janë ngritur akuzat e krijimit, organizimit dhe pjesëmarrjes në bandë të armatosur kriminale, rrëmbime me pasojë grabitje të dhunshme, armëmbajtje pa leje. Kurse ndaj 33 vjeçares është ngritur akuza e pranimit dhe mbajtjes së sendeve që vijnë nga veprimtari kriminale.
n.s/NOA