English

Berisha: 2011 vit i shkëlqyer, i denjë për prag 100 vjetorin e Shqipërisë

Tiranë, 28 dhjetor 2011, NOA- Në konferencën përmbyllëse të vitit 2011, Kryeministri Sali Berisha bëri një rezyme të punës së qeverisë. Ai e cilësoi vitin 2011 si një vit të shkëlqyer për të cilin çdo shqiptar duhet të falënderoj veten e tij, njeri- tjetrin, Zotin dhe funksionimin e reformave të ndërmarra. Sipas tij falë këtyre reformave viti 2011 do të regjistrohet në muret e kohës si një nga vitet e suksesit të sistemit, vitet e suksesit të madh në të gjitha fushat. “Viti filloi me disa probleme të caktuara, krejtësisht të pamotivuara, ngjarje të cilat provuan dhe testuan funksionimin e kushtetueshmërisë së vendit, ngjarje të cilat morën përgjigjen më kushtetuese dhe ligjore. Shqipëria u faktua si një vend i shtetit ligjor, pasi në këtë vend, askush dhe kurrkush një njeri të zgjedhur me votën e lirë nuk mund ta nxjerrë nga pushteti apo të marrë pushtet me dhunë”, u shpreh Berisha duke iu referuar ngjarjeve të 21 janarit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. Ndër të tjera ai tha se viti pati dy ngjarje dhe zhvillime të tjera të mëdha, në të cilat përsëri u testua dhe provua funksionimi dhe provimi i shtetit ligjor, një ndër to ishin zgjedhjet e 8 majit, zgjedhje që siç tha ai pavarësisht nga përpjekjet me zhurma dhe qëndrimet kundrathënëse, e drejta kushtetuese e qytetarëve për të votuar dhe për tu vlerësuar vota triumfoi. Kryeministri Berisha theksoi se në këto zgjedhje institucionet kushtetuese kaluan një nga testet më të pazakonshme për shkak të ngushtësisë së garës dhe se direktivat e OSBE-ODHIR-it faktuan katërcipërisht qëndrimin e drejtë që u mbajt, pasi këto shtoi ai janë zgjedhjet e para në historinë e vendit që vlerësohen si pozitive e transparente, me gjithë problemet. “Maxhoranca mori 12% më shumë vota, një përpjekje absurde për të bllokuar rezultatin dhe numërim votash, disa skena rrethimi të KQZ, por ligji dhe vetëm ligji veproi. Shqipëria zhvilloi këtë vit pas 10 vitesh, për të mos thënë pas 99 vitesh si shtet i pavarur censusin e plotë në liri të plotë, ajo ka sot fotografinë më të bukur të qenies së saj kombëtare dhe materiale. Për herë të parë qytetarët shqiptarë u regjistruan me standardet më të avancuara të popullit, rezultatet e para janë do thosha dhe njëherë historike ato rezultate faktuan se ky vend po ecën me shpejtësi drejt horizontit të vendit të zhvilluar. U tregua se shqiptarët këto 10 vite kanë arritur të ndërtojnë më shumë shtëpi për veten e tyre se gjatë gjithë historisë së vendit, sepse lënë mbrapa së paku 3 vende anëtare të BE”, deklaroi ndër të tjera kreu i qeverisë. Lidhur me mos marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian Berisha tha se, Shqipëria nuk mori statusin e kandidatit, sepse opozita vendosi të përdorë votën e vetë për të bllokuar dhe se Shqipëria nuk mori statusin jo se nuk u hartuan ligje, pasi ato u hartuan dhe për hartimin e tyre u angazhuan ekspertët më të mirë të Europës dhe SHBA. Në këtë linjë ai shtoi se ligjet nuk u votuan sepse opozita me një qëndrim politik, të verbër për mendim e tij, mendoi se mund ti adresonte qeverisë faturimin për statusin. Sakaq në vijim Kryeministri Berisha theksoi se në 8 maj qytetarët i dhanë mësimin më të merituar atyre që përdorën votën, për ti ndëshkuar gjithë ata që zgjodhën rrugën.

Në bilancin e vitit 2011 kreu i qeverisë shprehu mirënjohje për policinë duke thënë se ka treguar shkallën më të lartë të profesionalizmit pasi ka përballuar qindra e qindra protesta. “Policia e Shqipërisë është shndërruar në një partner të besueshëm të partnerëve ndërkombëtarë. Qëndrimi i saj ligjor ndaj zgjedhjeve fitoi admirimin e madh të të gjitha forcave politike dhe qytetarëve të këtij vendi që nuk kursyen fjalët më të mira. Shkalla e zbulueshmërisë është ndër më të lartat, lufta kundër krimit të organizuar ka një nivel të ri. 125 zyrtarë janë ndaluar për veprën e korrupsion, 70 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë e të tjerët janë të arrestuar. Spektri i veprave penale të zbuluara është rritur”, deklaroi Berisha, informon agjencia e lajmeve NOA.al. Ai e cilësoi vitin 2011, si një vit të denjë për prag-100 vjetorin e Shqipërisë, një vit me kontribute thelbësore në projektin madhor Shqipëria-vend i zhvilluar. I pyetur nga gazetarët për krizën ekonomike ai tha se, kjo krizë e zgjatur nuk mund të mos ketë pasoja në çdo segment të ekonomisë globale, por shprehu bindjen se Shqipëria nuk do të njohë recension. Berisha tha se, po të ndiqen reformat që u kërkohen vendeve në krizë janë reforma që Shqipëria i ka plotësuar dhe FMN e ka pohuar qartë këtë. Lidhur me kartolinën e kryesocialistit Edi Rama, ai tha se, si komunikim online konsideron mesazhet e celularit sepse shkalla e penetrimit të celularëve është më e lartë se interneti, pasi përdorimi i tij është më i kufizuar rreth 50%. “Unë nuk bëj kartolina online, bëj një kartolinë me logon e Këshillit të Ministrave është një kartolinë që ne e dërgojmë si kryeministri”, u shpreh Berisha për këtë çështje. Lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit dhe akuzat ndaj tij, Kryeministri tha do zbatohet Kushtetuta dhe është ajo që përcakton qartësisht se cili është statusi kushtetues i Presidentit. “Një nga 3-4 shtyllat më themelore të demokracisë është Kushtetutshmëria, shtyllë jetike për funksionimin e një demokracisë në mënyrë që të mos ndodhin deformime dhe kjo shtyllë është konsoliduar gjithmonë e më tepër. Zgjedhja e Presidentit është e përcaktuar në Kushtetutë, qëndrim i tij është i përcaktuar në Kushtetutë dhe nëse kjo karrige kthehet në një parti të madhe apo parti të vogël, ajo është për Presidentin e Republikës, të cilët Kushtetuta i thotë do mbash këtë qëndrim. Unë jam ish-President dhe kisha një libër në tryezën time dhe ky libër ishin ligjet kushtetuese të vendit, dhe nuk mund të cenohen askund. Çdo person të qëndrojë në përputhje të detyrave”, u shpreh Berisha. I pyetur për çështjen e reformës zgjedhore ai tha se iu la në dorë opozitës që ta hartonte Kodin Zgjedhor nëse jepej “Ok” nga Komisioni i Venecias dhe OSBE, do votohej pa diskutim. Në këtë kuadër ai tha se, “Opozita e refuzoi këtë propozim se e dinte që do e shkruante, do e votonte dhe do bëhej qesharake pasi edhe me kodin që do e hartonte vetë do i humbte zgjedhjet. Atëherë u vendos që të hartohej bashkërisht”, përfundoi Berisha.

Rama: Shteti do funksionojë kur të ndëshkohen vrasësit e 21 janarit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar sot ndaj deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, në konferencën për bilancin e vitit 2011. Në rrjetin social “Twitter”, Rama shprehet se shteti ligjor do të funksionojë vetëm kur të vendoset drejtësia për viktimat e 21 janarit. “Shteti kushtetues e ligjor do funksionoje kur të dalin para drejtësisë e të ndëshkohen vrasësit e 21 janarit, kush dha urdhër e kush qëlloi!”, shprehet Rama. Më tej, kreu i PS-së akuzon kreun e mazhorancës për situatën ekonomike në vend dhe për korrupsionit, duke u shpreh se është koha për një rilindje. “Vrau në bulevard, vodhi ditën për diell gënjen edhe kur fle e i këndon një Shqipërie që s’ka leke, s’ka pune as drejtësi! Koha për rilindje’, shprehet Rama në rrjetin social, “Twitter”.

a.y/NOA

KOMENTE