Tiranë, 28 Dhjetor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj – Kryeministri Sali Berisha pohon se vitin e ardhshëm pritet që vendi ynë të preket nga kriza ekonomike që ka përfshirë një pjesë të mirë të botës por siguron se nuk do të ketë rënie të vendit në recesion. Deklarata e z.Berisha vjen në një kohë kur edhe vende si Britania e Madhe po i tremben një recesioni të mundshëm.
Duke dashur të jetë “me këmbë në tokë”, z.Berisha, duke parashikuar se kjo krizë do jetë e zgjatur”, pranoi se ajo “nuk mund të mos ketë pasoja në çdo segment të ekonomisë globale, njëra prej të cilave është ekonomia shqiptare”, raporton NOA.al.
Menjëherë më pas, z.Berisha shtoi: “Shqipëria nuk do të njohë recesion”, duke shpjeguar bindjen e tij: “Nëse ju i ndiqni reformat që u kërkohen vendeve në krizë, ato janë reforma që ne i kemi kompletuar dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e pohon këtë në mënyrën më të qartë. Reformat që ndërmori qeveria shqiptare, thotë Fondi, mbrojtën më mirë se në çdo vend tjetër ekonominë nga recesioni”.
Berisha pohoi më tej se “nuk i ndërmorëm këto reforma për të parandaluar krizën, por i ndërmorëm ato, për të instaluar një model ekonomik, të cilit i besonim. Ky model është shumë funksional dhe e ka vendosur Shqipërinë një nga dhjetë vendet me administratën më të vogël në botë. Ky model e ka vendosur Shqipërinë një nga dhjetë vendet me qeveri dorëshkurtër ndaj ndërhyrjes në ekonomi. Ky model ka bërë që Shqipëria, në një rast unik, pa pasur, për shembull, një burim të papritur të ardhurash, të garantojë nga 2006 në 2008, mbi 8 miliardë dollarë më shumë në buxhetin e shtetit”.
Në këtë pikë Berisha vlerësoi se kjo është rezultat i këtij modeli duke sjellë edhe një herë në vëmendje se sipas tij, “para këtij modeli ishte Shqipëria tjetër, ku 1.4 miliardë dollarë përfundonin në xhepat e kontrabandistëve dhe zyrtarëve”.
“Unë jam i bindur se nuk do të biem në recesion, - përsëriti z.Berisha, duke thënë se këtë bindje e bazon edhe te “një përkujdesje e madhe, një vëmendje absolute që ne po tregojmë” dhe detajoi: “Një vit më parë, ne shkuam në parlament për të bërë shkurtime. Në rast se ju kujtohet, ka pasur vite, kur ne kemi shkuar për të bërë zgjerime, ndërsa vjet shkuam për shkurtime. Dhe në shkurtimet tona, ne ishim seriozë. I shpallëm, i realizuam ato dhe arritëm në finish, pikë për pikë ashtu siç i parashikuam. Ka një dikaster që kontrollon Thesarin. Jam i bindur edhe në qëndrim tonë të rreptë, rigoroz e të disiplinuar, që nuk do lejojmë që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion. Përveç krizës, këtë vit kemi pasur edhe importe të mëdha energjie, por sërish rritja ekonomike është garantuar dhe nuk ka kërcënime për recesion”.
a.y/e.t/NOA