English

Berisha: Presidenti qëndrim në përputhje të detyrave, zgjedhja në Kushtetutë

Tiranë, 28 dhjetor 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha në bilancin e vitit 2011 shprehu mirënjohje për policinë duke thënë se ka treguar shkallën më të lartë të profesionalizmit pasi ka përballuar qindra e qindra protesta.

“Policia e Shqipërisë është shndërruar në një partner të besueshëm të partnerëve ndërkombëtarë. Qëndrimi i saj ligjor ndaj zgjedhjeve fitoi admirimin e madh të të gjitha forcave politike dhe qytetarëve të këtij vendi që nuk kursyen fjalët më të mira. Shkalla e zbulueshmërisë është ndër më të lartat, lufta kundër krimit të organizuar ka një nivel të ri. 125 zyrtarë janë ndaluar për veprën e korrupsion, 70 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë e të tjerët janë të arrestuar. Spektri i veprave penale të zbuluara është rritur”, deklaroi Berisha, informon agjencia e lajmeve NOA.al.

Ai e cilësoi vitin 2011, si një vit të denjë për prag-100 vjetorin e Shqipërisë, një vit me kontribute thelbësore në projektin madhor Shqipëria-vend i zhvilluar.

I pyetur nga gazetarët për krizën ekonomike ai tha se, kjo krizë e zgjatur nuk mund të mos ketë pasoja në çdo segment të ekonomisë globale, por shprehu bindjen se Shqipëria nuk do të njohë recension.

Berisha tha se, po të ndiqen reformat që u kërkohen vendeve në krizë janë reforma që Shqipëria i ka plotësuar dhe FMN e ka pohuar qartë këtë.

Lidhur me kartolinën e kryesocialistit Edi Rama, ai tha se, si komunikim online konsideron mesazhet e celularit sepse shkalla e penetrimit të celularëve është më e lartë se interneti, pasi përdorimi i tij është më i kufizuar rreth 50%.

“Unë nuk bëj kartolina online, bëj një kartolinë me logon e Këshillit të Ministrave është një kartolinë që ne e dërgojmë si kryeministri”, u shpreh Berisha për këtë çështje.

Lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit dhe akuzat ndaj tij Kryeministri tha do zbatohet Kushtetuta dhe është ajo që përcakton qartësisht se cili është statusi kushtetues i Presidentit.

“Çdo koment jashtë kuadrit kushtetues është absolutisht jo-produktiv. Një nga 3-4 shtyllat më themelore të demokracisë është Kushtetutshmëria, shtyllë jetike për funksionimin e një demokracisë në mënyrë që të mos ndodhin deformime dhe kjo shtyllë është konsoliduar gjithmonë e më tepër. Zgjedhja e Presidentit është e përcaktuar në Kushtetutë, qëndrim i tij është i përcaktuar në Kushtetutë dhe nëse kjo karrige kthehet në një parti të madhe apo parti të vogël, ajo është për Presidentin e Republikës, të cilët Kushtetuta i thotë do mbash këtë qëndrim. Unë jam ish-President dhe kisha një libër në tryezën time dhe ky libër ishin ligjet kushtetuese të vendit, dhe nuk mund të cenohen askund. Çdo person të qëndrojë në përputhje të detyrave”, u shpreh Berisha.

I pyetur për çështjen e reformës zgjedhore ai tha se iu la në dorë opozitës që ta hartonte Kodin Zgjedhor nëse jepej “Ok” nga Komisioni i Venecias dhe OSBE, do votohej pa diskutim.

Në këtë kuadër ai tha se, “Opozita e refuzoi këtë propozim se e dinte që do e shkruante, do e votonte dhe do bëhej qesharake pasi edhe me kodin që do e hartonte vetë do i humbte zgjedhjet. Atëherë u vendos që të hartohej bashkërisht”, përfundoi Berisha.

a.y/NOA

KOMENTE