English

Buxheti 2012 për Tiranën, sot në Këshillin Bashkiak

Tiranë, 28 dhjetor 2011, NOA – Pas konsultimit me qytetarët e 11 minibashkive të Tiranës, projekt-buxheti prej 70 milion dollarësh i Bashkisë së Tiranës për vitin 2012, do të shqyrtohet dhe hidhet sot për miratim në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Projekt-buxheti i Bashkisë së Tiranës ashtu siç ka deklaruar Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha parashikon trefishimin e investimeve publike në kryeqytet dhe dyfishimin e të ardhurave.

Tri shtyllat ku ky buxhet do të investohet janë punësimi, përmirësimi i cilësisë së jetës dhe infrastruktura, duke iu përmbajtur kështu motos lëvizëse se “qyteti nis nga pragu i derës së çdo qytetari”.

Këshilli Bashkiak i Tiranës që pritet të mblidhet në orën 17.00, do të shqyrtojë edhe shtatë projekte të reja për krijimin e vendeve të reja të punës, për ndërtimin e një Tirane europiane, dhe për të përmirësuar shërbimet e qytetit.

Gjithashtu Këshilli Bashkiak do të diskutojë propozimin e kryebashkiakut Basha për heqjen e të gjitha taksave dhe tarifave vendore, për të gjithë bizneset e reja që punësojnë 50 apo më shumë qytetarë të Tiranës, dhe uljen me 30% të taksës së ndikimit në infrastrukturë për të gjithë sipërmarrjet që punësojnë mbi 75 qytetarë të Tiranës.

Do të diskutohet po ashtu për ndryshimet në nivelin e pagave të punonjësve të institucioneve të varësisë; për emërtimin “Ibrahim Rugova” të një prej rrugëve kryesore të qytetit të Tiranës; për miratimin e Komisionit të Strehimit të ndryshuar; për dhënien e bursave për nxënësit; si dhe për termat kryesorë të kontratës konçesionare mbi parkimin nëntokësor në sheshin "Italia".

Sipas Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha buxheti i vitit 2012 parashikon trefishimin e investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite.

Ndër investimet më të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës për vitin 2012, është padyshim Trami i Tiranës, një nga projektet më ambicioze të shpallura nga Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale, i cili do të nisë të ndërtohet brenda vitit 2012.

Sipas Bashës stacioni aktual i trenit në Tiranë do të jetë stacioni i Tramit të kryeqytetit.

Linja e tramit do të përshkojë distancën nga Lapraka deri në sheshin “Nënë Tereza” dhe pritet të zgjidhë ndjeshëm problemin e transportit publik në kryeqytet.

mit/NOA

KOMENTE