Tiranë, 28 dhjetor 2011, NOA- Mbledhja e Këshillit Bashkiak nisi e tensionuar, ndoshta edhe prej rëndësisë së saj,pasi diskutohet dhe vendoset buxheti për vitin që vjen.
Kryetari i këshilltarëve socialist Aldrin Dalipi në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u shpreh se është e pabazuar kërkesa e palës demokrate që pyetjet të drejtohen me shkrim, pasi sipas tij nuk ka rregullore që e parashikon këtë çështje.
“Pyetje me shkrim nuk do ketë, nuk pranojmë diktim, le të diskutojmë projekt-buxhetin dhe nuk e kuptoj pse pyetjet duhet të jenë me shkrim”, u shpreh Dalipi, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Nga ana e tij kryetari i këshilltarëve demokratë Ferdinand Poni tha se, kjo mënyrë e të drejtuarit të pyetjeve vjen për të shmangur polemikat pa fund.
“Zoti Dalipi kur thua, “zyrtari i lartë i bashkisë”, nëse është protokollizëm i partisë e ke gabim”, u shpreh Poni.
Nga ana e tij kryebashkiaku Lulzim Basha theksoi se është i gatshëm që tu japë përgjigje pyetjeve, e rëndësishme është që të ndahet qartë faza e pyetjeve me fazën e përgjigjeve.
Në vijim po vijojnë pyetjet e palëve përmes këshilltarëve lidhur me projekt-buxhetin e vitit 2012.
a.y/NOA