English

Giorgio Boça, gazetari me ‘G’ të madhe... dhe një parantezë shqiptare

"Në një intervistë tjetër kish përballë Berlusconi-n; është fjala për kohët, kur kavalieri nuk i kish hyrë politikës. Dhe ish rënë dakord që të flitej mbi lirinë e shtypit. Një gazetar përballë një manjati të medias. Në televizionin e këtij të fundit. Si shkoi? Giorgio Boça nuk jep detaje të intervistës, por na bën me dije se ajo intervistë nuk u transmetua"...

Nga Mustafa Nano

Ka vdekur Giorgio Boça, një nga pak gazetarët e racës që kanë mbetur mbi këtë botë. Nuk ka bërë pjesë tek më të mirët (dhe vetë s’kish për ta pranuar këtë gjë), por ka qenë gazetar nga thonjtë e këmbëve deri tek maja e flokëve, gjithë kohën, nga paslufta deri në momentin e fundit të 91 viteve të jetës së vet, pa iu dorëzuar ngasjeve të tjera (nëse ka pasur ngasje të tjera).

Në ndryshim nga Montanelli, i cili ka qenë gazetar i lindur e me të cilin i kish spicat majë më majë, Boça është bërë gazetar me punë dhe me dëshirën për t’u bërë. Ka bërë gavetë si rrallë ndonjë tjetër, dhe për t’u bërë gazetar i është dashur, ashtu si thotë Hemingëay, të cilin Boça vetë e citon, “të hante çdo ditë racionin e mutit e të vrerit”. Në fillimet e veta ka bërë reporterin në një kuptim që tani nuk ekziston më (fjala vjen, në një rast ka qëndruar katër orë fshehur në një gëmushë, duke përgjuar një këpucar që dyshohej se kish vrarë të shoqen; e bëjnë më gazetarët këtë punë hetuesish?), derisa mbushi të dyzetat, kur u bë i famshëm e u njoh nga të gjithë si firmë autoritare e shtypit italian. Gazeta, me të cilën ka bashkëpunuar më së shumti ka qenë “La Repubblica”. Ka qenë në këtë gazetë qysh në ditën e parë të themelimit nga Eugenio Scalfari.

Gaveta e bërë e mundi i hequr si reporter e bëri t’i japë rëndësi njerëzve, provincës, bujqësisë, fabrikave për atë që praktikisht ishin, “vende ku jetohej e punohej në rrethana antagonizmi”. Por më pas fitoi një vizion global mbi gjërat, e në këtë kuptim, e humbi pak e nga pak atë prerjen prej ‘provinciali’, të cilën e pranonte faqe botës (unë jam provincial, tha më se njëherë). U bë pjesë e gazetarisë së madhe, asaj elitare, ku çdo shkrimi i referoheshin e ku pas çdo shkrimi ish dikush nga establishmenti që shqetësohej, gjë që e largoi me mijëra vite drite larg nga gazetaria e fillimit e mbushur me poshtërime, nëpërkëmbje e mungesë lirie. Është momenti kur Boça e bind veten se gazetaria është dhe letërsi, e fillon të shkruajë libra, gjë nuk e shpëtoi megjithatë, nga emërtimi “gazetar kronike”. Madje, edhe dje gazetat njoftonin vdekjen e atij që ish il Cronista dell’Italia. Shkrimi i tij i fundit kish për temë përmbytjet në Liguria.

Në Shqipëri nuk e njohin shumë Giorgio Boça-n. Asnjë gazetë e jona nuk njoftonte sot mbi vdekjen e tij, dhe të vjen keq që më shumë raportojmë mbi aventura velinash të fqinjit tonë të përtejdetit, se sa mbi vdekjen e Boça-s. Kjo është e kuptueshme. Boça nuk ka të bëjë me gazetarinë që bëhet në Tiranë, e cila është shndërruar e tëra në një qokë kolosale për politikanët e njerëzit me pushtet.

Sa për të bërë një krahasim të thjeshtë. Dy intervista ka dhënë kryeministri ynë gjatë javës së fundit, dhe në të dyja (secila ka zgjatur dy orë) nuk gjen një fjalë të vetme për shqetësimet reale të vendit, për rritjen ekonomike që është ulur në nivelet 2-3%, për borxhin publik që e ka kaluar 60%-ëshin e GDP-së, për emigrantët që po kthehen, për viktimat që po gjakosin rrugët e qyteteve të Shqipërisë, për sektorin publik të shëndetësisë, për reformat e nevojshme në drejtësi (ku kanë dështuar të gjitha gjyqet e mëdha, si Gërdeci, korrupsioni në rrugën Durrës-Kukës, video-përgjimi Prifti-Meta, 21 janari etj), për shkollat shqiptare, për rendin publik, për lumenjtë që po gërryhen, për pasurinë publike që po plaçkitet etj., etj. Asnjë fjalë. Është kryeministri që nuk ka qejf të flasë për gjëra të tilla ‘të mërzitshme’, por janë dhe gazetarët që i shkojnë pas midesë; nuk ia prishin. Që t’ju shuaj kureshtjen, ja disa pyetje që i janë bërë në këto dy intervista: “A keni një koment për deklaratën e fundit pak të parakohshme të Presidentit? Cilat shkelje të statutit apo të programit të PD-së ka bërë Presidenti? Në këndvështrimin tuaj, ka qenë një sjellje e paramenduar e zotit Topi? Mendova që ajo që ngjau në festën e PD [të fikëtit] do t’ju pengonte të ishit këtu…? Jeni i sigurt se axhenda juaj nuk do të reduktohet pas asaj që ju ndodhi? Ishte një virozë, apo ishte emocionale? Ju e ndërpretë fjalimin; pse nuk e latë kur e ndjetë që nuk ishit mirë? E morët vesh që lideri i opozitës ju uroi një shërim të shpejtë në ‘Tëitter’? Të tilla janë të gjitha pyetjet. Kjo është gazetaria që s’ka lidhje me Boça-n. Nuk ka lidhje as me gazetarinë, në fakt. Po kthehem te Boça. Ka dy anektoda, të cilat i tregon vetë gazetari italian, që u nda nga jeta dy ditë më parë, në librin e vet “E’ la Stampa Bellezza!”, ku duket diferenca. Në njërën rrëfen për një intervistë që ai ia ka marrë në “Mediaset” Bettino Craxi-t. Ky i fundit futet në studio dhe i jep dorën Boça-s, duke i folur ftohtë e në mënyrë sarkastike. Pse? Sepse e dinte që ish në një ‘territor armik’, e që Boça nuk do ta ledhatonte. Por ai shkoi, prapëseprapë. Dhe, Boça nuk e ledhatoi.

një intervistë tjetër kish përballë Berlusconi-n; është fjala për kohët, kur kavalieri nuk i kish hyrë politikës. Dhe ish rënë dakord që të flitej mbi lirinë e shtypit. Një gazetar përballë një manjati të medias. Në televizionin e këtij të fundit. Si shkoi? Giorgio Boça nuk jep detaje të intervistës, por na bën me dije se ajo intervistë nuk u transmetua. Me urdhër të Berlusconi-t, të cilit nuk i kish pëlqyer mënyra se si ish zhvilluar biseda. Për faj të Boça-s.

Janë gjeste heroike? Jo, është sjellje gazetari. Giorgio Boça ishte gazetar.

"Shqip"

KOMENTE