Tiranë, 28 dhjetor 2011, NOA – Një aksident fatal ka ndodhur pak minuta më parë në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, pak metra pranë rrethrrotullimit “Zogu i Zi”, duke lënë të vdekur në vend dy persona, dhe plagosur një tjetër, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në aksident janë përplasur në mënyrë fatale me njëra tjetrën dy makina, që ecnin në sens të kundërt.
Dëshmitarë që panë me sy aksidentin e rëndë në mes të ditës thanë se një makinë Opel me targë AA 237 BI, që vinte për në Tiranë kapërceu traversën e mesit të rrugës duke u përplasur në mënyrë fatale me një Benz me targë Tr 6434 I, që udhëtonte në drejtim të kundërt.
Por, sipas dëshmitarëve arsyeja e aksidentit të rëndë ka qenë se drejtuesi i automjetit Opel që vinte drejt Tiranës ka pësuar atak kardiak apo infarkt ndërsa ngiste makinën, e për rrjedhojë ai ka humbur kontrollin e makinës, dhe ka devijuar rrugën duke kapërcyer traversën ndarëse të saj, dhe përplasur më pas fatalisht me benzin.
Si pasojë e përplasjes të dyja makinat u shkatërruan plotësisht dhe morën flakë.
Për të nxjerrë trupat e të vdekurve është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve të kryeqytetit për shkak të përplasjes së fortë.
Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe makina zjarrfikëse. Aksidenti ndodhi në një orar të ditës kur autostrada Tiranë-Durrës është në pikun e trafikut, të shtuar ndjeshëm edhe për shkak të festave të fundvitit.
mit/NOA