English

Në emër të birit ose të nxënësit

"Nuk gatuhej kurrë mishi i derrit. Por kaq nuk i mjaftonte mendjes sime prej fëmije të shprehej me siguri se prindërit e mi ishin besimtarë të verbër. Në të vërtetë kisha edhe një pengesë e pakapërcyeshme për ta pranuar një cilësim të tillë. Sipas “fjalës së Partisë”, besimtarët e verbër ishin njerëz injorantë..."

Nga Besnik Mustafaj

Ende s’i kisha mbushur nëntë vjet kur regjimi i kohës, i quajturi pushtet i popullit, e shpalli zyrtarisht Shqipërinë vend ateist dhe ndaloi me ligj çdo formë të ushtrimit të fesë. Besimi në Zot u përcaktua si “opium për popullin” dhe u shpall armik kombëtar. Kishat dhe xhamitë u rrafshuan, librat fetarë u dogjën, klerikët, ata që shpëtuan nga burgu, u veshën me kominoshe e me çizme dhe u dërguan të punonin në ferma e në uzina për të mos vdekur urie. Në Kodin Penal u shtuan nenet me dënime deri në dhjetë vjet burg për këdo që guxonte të bënte kryq apo të binte në gjunjë për t’u falur qoftë edhe brenda shtëpisë së tij. Më kujtohet heshtja që sundonte në shtëpinë tonë në Tropojë teksa gjyshi dëgjonte në radio lajmet. Gjithë populli, sipas radios, rinia sidomos, por edhe gratë, burrat, pleqtë, ishin ngritur në këmbë me pishtarë në duar të digjnin “errësirën robëruese me të cilën feja e kishte mbushur trurin e njerëzve të paditur për shekuj e shekuj me radhë”. Kjo shënonte “fundin e pakthyeshëm të së kaluarës”. Unë ndërkohë isha i mbushur plot me një ndjesi të përzier turpi dhe sikleti, por që nuk guxoja ta shprehja në sy të gjyshërve dhe të nënës. Të nesërmen, në shkollë, mësuesja do i pyeste një nga një fëmijët nëse ishin bashkuar me prindërit gjatë shembjes së xhamisë, gjatë djegies së rasës së priftit apo gjatë rrafshimit të varrezave të qytetit, ku deri dje, të gjallët mendjemykur u kishin vënë te koka të vdekurve kryqe apo gjysmëhëna të gdhendura në gur apo të derdhura në allçi. Mua më vinte, qysh një ditë para, turp kur të nesërmen do të isha i detyruar të pohoja faqe gjithë klasës se gjyshi, gjyshja, ashtu si dhe nëna ime, nuk ishin bashkangjitur me gjithë popullin për të çuar në vend fjalën ndriçuese të Partisë. Për babain nuk kisha ç’thosha. Ai dilte si zakonisht nga shtëpia ndaj të gdhirë për të shkuar në punë e kthehej në mbrëmje vonë, pasi mua më kishte zënë gjumi. Unë e dija se ç’po ndodhte gjithandej tashmë, ani pse nëna, me t’u kthyer nga shkolla, nuk më lejonte më të vija këmbën jashtë pragut të oborrit. E dija nga radio. Kaq do të më kishte mjaftuar për ta treguar gjerë e gjatë euforinë e përditshme të asaj përmbysjeje të pashembullt në historinë e Shqipërisë. Por do të vinte çasti kur mësuesja do të më pyeste konkretisht se në cilën ngjarje kishin marrë pjesë të djeshmen vetë prindërit e mi? Cilit hoxhë ia kishin rruar mjekrën në mes të lagjes, nën yshtjet gazmore të turmës revolucionare? Aty do të skuqesha e do të më mbulonin djersët e turpit. Isha i sigurt se gjyshi, gjyshja dhe nëna ime kishin qëndruar mbyllur në shtëpi, a thua se i fshiheshin një murtaje. Dhe jo vetëm kishin qëndruar mbyllur në shtëpi, por edhe njëri me tjetrin ishin marrë vesh më shumë me shenja se me fjalë, gjë që nuk më kishte ndihmuar mua as të kuptoja disi se çfarë mendonin ata. Shpresa e vetme për të më nxjerrë nga sikleti mbetej babai. Ai vazhdonte zakonin e daljes në agim e të kthimit afër mesnatës. Por, edhe kur qëllonte, në të rrallë, të kthehej pak më herët, dhe bëhej kështu pjesë e darkës familjare, ai nuk çelte kurrë biseda rreth ditës së tij të punës. As gjyshërit, ashtu si nëna ime, të paktën faqe nesh, fëmijëve, nuk e pyesnin. Ky rregull zbatohej me rreptësi të plotë. Në një nga këto mbrëmje, unë nuk e përmbajta dot ankthin dhe, i mbushur me një guxim të papritur, e pyeta se ku po e zhvillonte ai betejën e vet. Babai, i vetmi i shkolluar në familjen tonë, madje i shkolluar në Tiranë, do të duhej ta mirëkuptonte hallin tim. Ende pa e mbaruar pyetjen, babai më përfshiu me një vështrim të çoroditur. - Cilën betejë? – Kishte sakaq një zë të acaruar, por që unë nuk desha ta vija re. Duhej t’i tregoja se dija edhe unë të isha i vendosur. - Betejën kundër fesë, siç po bën mbarë populli ynë përparimtar. - Nuk janë punë për ty këto, – ma preu shkurt. – Nuk janë punë fëmijësh. Dëgjove? Nuk janë punë për ty. – Unë mbeta pa gojë. Babai nuk ishte treguar kurrë kaq i paduruar me mua. Edhe kur nuk i pëlqenin ndërhyrjet e mia, ai prapë e gjente fjalën e duhur për të më sqaruar pa e humbur butësinë. Kësaj here ai u bë krejt tjetër. Si nuk ishin punë për mua këto? E dinte ai në ç’darë na vinte ne mësuesja në shkollë, apo jo? Këto dhe shumë pyetje të tjera të ngjashme më vërshuan mizëri në kokë, por që nuk bëhej më fjalë t’i shtroja. Babai më kishte tronditur shumë me ashpërsinë e vet të panjohur. Ai kishte një autoritet të tillë mbi mua, sa edhe me butësinë e zakonshme do më kishte detyruar verbërisht të besoja se ajo që po ndodhte nuk ishte vërtet punë për mua e se mësuesja gabonte që na përziente ne, fëmijëve, në këtë histori të ngatërruar. Ky babai tjetër, që po zbuloja, vërtet ma mbylli gojën, por edhe më zgjoi një inat gurgullues kundër atyre që më kishin bërë kokën, inat që unë, sigurisht, do të duhej ta mbaja përbrenda si një llavë zjarri. U ndjeva i dobët, i braktisur. Nuk kisha më kujt t’i kërkoja ndihmë. Ku do t’i fshihja të nesërmen djersët e ftohta kur të pohoja para gjithë klasës se prindërit e mi i kishin bërë bisht detyrës historike? Edhe ashtu, duke zier nga inati, e dija, megjithatë, që nuk do të kisha zemër të shisja prindërit para të tjerëve. Vetëm do të heshtja me sytë përdhe, me fytyrën që më përcëllonte nga turpi. Mësuesja nuk do të ndjente pikë mëshire për mua. Edhe pa pohimin tim, ajo do ta merrte me mend ç’po ndodhte dhe do të më drejtohej, duke më tundur gishtin, që ta shihnin të gjithë shokët, se prindërit e mi ishin dezertorë ndaj detyrës së madhe të revolucionit. Kjo është shumë e rëndë, do ta ngrinte ajo zërin edhe më shumë. E kupton ti sa e rëndë është kjo? Domethënë se më takonte mua në vazhdim të bëja detyrën time, që do të thoshte se duhej të shpjegoja përse ata i kishin bërë bisht detyrës revolucionare. Kjo ishte më e tmerrshmja: Nuk pranohej të ishe i sinqertë. Unë mund ta kisha kapërcyer pyetjen e saj me një mbledhje të supeve. Mund edhe të belbëzoja nëpër dhëmbë duke u betuar se nuk e dija ç’i mbante prindërit e mi larg asaj stuhie. Por jo, mësuesja doemos që nuk do të kënaqej me përgjigjen time. Ajo do të më urdhëronte kërcënueshëm të tregohesha i sinqertë. Bijtë e Partisë, do të më skërmitej mësuesja, e hapin zemrën para shokëve. Apo jo? Do të kërkonte ajo mbështetjen e klasës. Unë do të dëgjoja një “po” bubullimë, sa edhe muret e shkollës të dridheshin. Sinqeritet në shpjegimin e sjelljes së prindërve të mi, sipas mësueses sime, do të thoshte që unë të shpalosja para fëmijëve të tjerë gjithë përçmim se prindërit e mi ishin besimtarë të verbuar dhe nuk u bënte zemra të bashkoheshin me fjalën e Partisë. Me fjalë të tjera, e kishin trurin të mpirë nga opiumi fetar. Unë nuk isha në gjendje të pohoja me zemër në dorë se prindërit e mi ishin njëmend besimtarë të devotshëm. E dija se në shtëpinë tonë kremtoheshin të gjitha festat fetare, ca nga të cilat, siç kam mësuar më vonë, nuk kishin lidhje me islamin si, bie fjala, Shën Gjergji, Shën Kolli e ndonjë tjetër. Në betimet e pathyeshme të gjyshërve dhe të nënës sime hynte edhe “Për emër të Zotit”.

Nuk gatuhej kurrë mishi i derrit. Por kaq nuk i mjaftonte mendjes sime prej fëmije të shprehej me siguri se prindërit e mi ishin besimtarë të verbër. Në të vërtetë kisha edhe një pengesë e pakapërcyeshme për ta pranuar një cilësim të tillë. Sipas “fjalës së Partisë”, besimtarët e verbër ishin njerëz injorantë. Ndërkohë që babai im ishte ndër burrat më të shkolluar të krahinës sonë. Për gjyshin nuk e dija sa shkollë kishte kryer, por e shihja me sytë e mi se ai pjesën më të madhe të ditës e kalonte duke lexuar. Gjyshja dhe nëna ishin më larg botës së dijes, por as ato nuk më dukeshin aspak injorante. Isha i vendosur të mos e poshtëroja familjen time sikur edhe në prush të ma fusnin kokën. Mbetej vetëm një mundësi e dytë: të pranoja se të mëdhenjtë e familjes sime ishin të lidhur me armikun e jashtëm. Na ishte thënë e përsëritur se feja, qoftë ajo e Krishtit e qoftë ajo e Muhametit, ishin ngulitur me përdhunë ndër trojet shqiptare nga pushtuesit e huaj. Ky ishte një spekulim shumë i rafinuar nga ana e makinës propagandistike të regjimit. Vite më vonë, për interesat e mia letrare, i kam studiuar me vëmendje botimet e asaj periudhe. Në fjalimet e Enver Hoxhës e, për rrjedhim, në mijëra faqe shkruar nga të tjerët, nuk gjendet asgjë që do t’i përngjante sadopak një debati publik, qoftë ky edhe debat midis ateistëve dhe teologëve. Ateizmi shpallet si ideologji zyrtare e vetme dhe në emër të tij përdoren instrumente policore për asgjësimin e kundërshtarëve, kristianë apo myslimanë. Enver Hoxha shmangu qëllimisht polemikat mbi përmbajtjen e dogmës së njërës apo tjetrës fe. Si bir i një mullai, ai me siguri e dinte mirë se nuk mund ta çrrënjoste besimin nga kokat e shqiptarëve duke përdorur logjikën, filozofinë apo moralin. Vendimin e vet, një vendim tërësisht politik në shërbim të pushtetit të vet, ai e përligj me disa elemente historike, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me mesazhin e Krishtit apo të Muhametit. Ai u përqendrua në kontekstin historik kur kishin lindur këto dy fe. Perandoria Romake në fillim e pastaj Perandoria Osmane, ku kishin bërë pjesë trojet shqiptare në këto periudha të njëpasnjëshme të antikitetit e të mesjetës jepnin fakte të mjaftueshme për t’u kujtuar si pushtues të të parëve të tanë. Spekulimi i propagandës zyrtare qëndronte te identifikimi i misionarëve të fesë si trashëgimtarë të ushtrive pushtuese për të arritur në përfundimin se këto fe ishin mish i huaj në karakterin kombëtar të shqiptarit dhe si të tilla duheshin çrrënjosur nëpërmjet një operacioni kirurgjikal radikal. Enver Hoxha shpallte si objektivin e vet madhor pastrimin përfundimtar të identitetit të shqiptarit, duke synuar në të vërtetë një tabularasa të trurit të shqiptarit, që do të thoshte, as më shumë e as më pak, veç një përgatitje klinike e shqiptarit për të hyrë lirisht në kallëpin e njeriut të ri. Po t’i referohemi edhe teorisë leniniste për revolucionin komunist, njeriu i ri nuk ka identitet kombëtar. Kush do ta mbronte në ato rrethana tmerrësisht dramatike dhe të ndërlikuara njeriun shqiptar nga shpëlarja e trurit? Misionarët e fesë, si trashëgimtarë të ushtrive pushtuese, duhej detyrimisht të ishin në shërbim të armiqve të jashtëm. Për ta vazhduar historinë time, mua më mbetej pra vetëm një mundësi e dytë: të pranoja se të mëdhenjtë e familjes sime nuk merrnin pjesë në veprën çliruese të Partisë sepse bënin me vetëdije punën e armikut të jashtëm. Rrjedhimisht, ata nuk mund të quheshin ndryshe veçse tradhtarë të atdheut. Për veten time më mirë pranoja të më prisnin gurmazin me gërshërë se që prindërit e mi ishin tradhtarë të atdheut. Isha në hall të madh: si të shpëtoja pa i denoncuar prindërit siç do të ma kërkonte mësuesja nëpërmjet urdhrit për t’u treguar i sinqertë? Dy-tri ditët e para, ma thotë mendja rastësisht, gishti i mësueses nuk u drejtua nga unë. Por unë isha gjithë kohës me gjak të ngrirë. Një mëngjes u ngrita nga shtrati i vendosur të mos shkoja në shkollë. “Jam i sëmurë”, – i thashë nënës, pa guxuar t’i pohoja të vërtetën. Dhe ajo bëri sikur më besoi, madje pa më pyetur fare ku më dhembte. Nuk më çoi sigurisht as te mjeku. Dhe nuk tregoi asnjë kujdes të veçantë, siç do të kishte treguar po të kishte menduar se isha vërtet i sëmurë. Gjyshi me gjyshen po ashtu nuk bënë zë. As unë nuk u ankova e as vazhdova të shtirem sikur po vuaja. Ishte si një marrëveshje e heshtur mes nesh. E mjaftueshme. Nuk shkova në shkollë gjatë gjithë javës, sa nisi të qetësohet disi fushata e luftës kundër fesë. Puna e madhe mbaroi. Kishat e xhamitë u dogjën e u rrafshuan deri në themel në mbarë krahinën dhe nuk mbeti më klerik për t’u shfaqur mbi faqe të dheut tonë. Me sa mbaj mend, ajo është hera e parë që kam gënjyer dhe, për më keq, kam gënjyer me mirëkuptimin e pashpallur të prindërve. Them se arsyeja kryesore pse u detyrova të gënjeja lidhet me përplasjen e papajtueshme mes asaj çka mendoja unë se ishte sinqeritet në përgjigjen që do t’i kisha dhënë mësueses dhe asaj çka mësuesja quante sinqeritet në përgjigjen që priste prej meje. Në rrethana të tilla, ishte e qartë se o do të gënjeja veten, duke u hequr si i sëmurë, o mësuesen duke denoncuar prindërit e mi si tradhtarë të atdheut. Me atë mendjen time të torturuar nga ankthi nuk isha në gjendje të gjeja një rrugë të tretë për t’i shpëtuar gënjeshtrës. Nëna ime thoshte se gabimin e fal jo vetëm robi, por edhe Zoti. Gënjeshtrën jo. Refleksi i kësaj edukate më tha se, duke gënjyer veten, unë në të vërtetë po bëja vetëm një gabim. Mirëkuptimi i heshtur që gjeta menjëherë te prindërit ma përforcoi bindjen se po bëja vërtet vetëm një gabim, të cilin ata të parët, domethënë prindërit, po ma falnin. Ishte një lehtësim i çmueshëm për ndërgjegjen time të trazuar. Vite më vonë, kur isha aftësuar tashmë për t’i analizuar gjërat, jam siguruar plotësisht se kisha bërë zgjedhjen më të përshtatshme. Gjyshja ime ka qenë e vetmja në trungun tonë që ka dhënë një shpjegim me zë të lartë për këto lloj shmangiesh të pjesëtarëve të familjes sime nga ngjarjet ekzaltuese sajuar nga regjimi i kohës për ta përfshirë në faj gjithë njerëzinë, me të madh e të vogël. Na ka ndihmuar Zoti të ruajmë veten, thoshte ajo. I qofshim falë! Gjyshi, nëna apo babai nuk i komentonin kurrë monologët e saj. Gjatë rritjes sime, unë nuk e kam marrë ndonjëherë vesh nëse edhe ata mendonin po ashtu si ajo. Por kjo hollësi nuk ka asnjë rëndësi për historinë. Gjyshja ime, – me siguri edhe shumë të tjerë si ajo, – e shihte kërdinë që po zhvillohej nëpër rrugë e sheshe si një molepsje, nga e cila mund të mbroheshe vetëm me ndihmën e një fuqie mbinjerëzore. Përsa më përket mua, asokohe, doemos që nuk kisha asnjë gjykim për përfitimet që do të kishte regjimi duke e shtyrë një fëmijë të sajonte gjithë ato akuza kundër të mëdhenjve të familjes së vet. Po të shprehesha për një çast me fjalët e gjyshes sime, do të duhej të thosha se Zoti më ruajti pa hyrë në një lojë, që do të kishte qenë shumë e rëndë në të ardhmen më së pari për vetë mua. Jo thjesht pse do t’i poshtëroja prindërit faqe shokëve të mi e rrjedhimisht faqe gjithë njerëzisë. Në retrospektivë përfytyrohen pa zor të madh pasojat që do të binin mbi ta si “armiq”. Bashkë me ta, në thesin që do të merrte rrokullimën, do të ishim patjetër edhe unë e dy vëllezërit e mi më të vegjël. Unë nuk kam parasysh as edhe këto pasoja kur vlerësoj tani se ajo lojë do të kishte qenë tepër e rëndë më së pari për vetë karakterin tim. Qysh nga ai çast unë nuk do ta dija më kurrë me saktësi ç’lidhje kishte midis sinqeritetit dhe së vërtetës. Ky do të ishte një deformim me ndikim ndoshta të pashërueshëm në marrëdhëniet që fëmija i asaj kohe do të kishte në vazhdim me të tjerët edhe kur të rritej. Në familjen tonë myslimane prej gjashtë brezash, vetëm gjyshja ishte aq besimtare sa ta zbatonte në përditshmëri besimin e vet. Gjatë atyre ditëve të rrënimit të kishave dhe xhamive, veçanërisht ajo ishte bërë si e ndërkryer. Por, ashtu si të tjerët në shtëpi, as ajo nuk fliste shumë. Vetëm shkonte nga një dhomë në tjetrën duke mërmëritur me vete: “Nuk bën shqiptari kështu. Nuk bën shqiptari kështu”. Pastaj ulej në një qosh të minderit, mbyllte sytë dhe vazhdonte të mërmëriste me majat e buzëve si në një kllapi. Mendja më thotë se lutej. Më vonë e kam dëgjuar disa herë t’i shprehte nënës sime brengën e vet të pangushëllueshme, të mbirë në shpirtin e saj të lodhur pikërisht gjatë ditëve të asaj batërdie: do të vdiste pa e mbajtur edhe njëherë ramazanin. Ishte një brengë që ia dinin edhe shumë të tjerë në lagje e më gjerë. Ajo nuk e fshehu kurrë që besonte në Zot. Por ramazanin nuk guxonte ta mbante. Kam frikë se i bëj dëm djalit, thoshte me këdo kur i binte fjala. Babai im ishte djali i saj i vetëm. Frika e saj kishte arsyet e veta. I kishte qëlluar shumë herë gjatë periudhës së ramazanit ta provokonin duke e shtyrë të pinte kafe jo vetëm në shtëpitë e të tjerëve, ku mund të qëllonte për vizitë, por edhe brenda në shtëpinë e saj. “Vizitorë” të ardhur qëllimisht për të verifikuar, kur shihnin se ajo e merrte pa ngurrim kafenë, e pyesnin si me çudi pse po e prishte agjërimin. - Nuk e mbaj më qysh se u ndaluan punët e Zotit, – u përgjigjej ajo me pak zë e duke rrëzuar sytë, si njeri i zënë në faj. Fytyra e saj mbështillej me një pikëllim naiv. – Kam frikë se i bëj dëm djalit, – shtonte përmes një ofshame. Në vitin 1984 isha vendosur tashmë me punë si gazetar në Tiranë. Bashkë me gruan dhe djalin e sapolindur shkuam në vendlindjen time të festonim me familjen Vitin e Ri. Në një nga bisedat që pata me gjyshen – gjyshi kishte vdekur ndërkohë – e ftova të vinte tek unë në periudhën e ramazanit. Aty do të mund të agjëronte lirisht. Gjyshja, ndjesë pastë, më përfshiu me një vështrim të papërcaktueshëm. Ajo heshti një çast pa m’i shqitur sytë sikur po më hetonte, pastaj më drejtoi pyetjen më të papritur: - A jeni me Enverin ju atje në Tiranë? - Lëre Enverin në punë të vet! – iu shmanga unë përgjigjes. – Ti në shtëpinë time do të mbash ramazanin. Kjo të duhet ty. Ajo i dha vetes një grimë kohë, që nuk ishte kohë për t’u menduar para se të merrte vendimin. Ishte një kohë e nevojshme për t’u siguruar se më kishte dëgjuar mirë. Ose ishte një kohë që ajo ia dha vetes për të shijuar një gëzim të pashpresuar. Fytyra e saj zuri të çelet, të mbushet me dritë dhe përsëri më befasoi. - Jo, – tha, – nuk vij. Do të pres ditën të agjëroj në shtëpinë time. Dreqin s’e pollëm ne këtu, na e dërguan nga Tirana. – Kishte folur rreptë, aq sa iu mbarua fryma. – Juve atje u paska dalë frika, Zot shyqyr! Nuk do të vonojë e kjo dallgë e mirë do të vijë deri këtu. Do ta pres, – theksoi plot vendosmëri, – nuk do të vdes pa mbërritur kjo dallgë e bekuar edhe këtu. Tetë vjet më vonë, në mars 1992, diktatura kishte rënë tashmë dhe unë kthehesha në vendlindje si kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare. Ditën e votimeve gjyshja nuk pranoi ta shoqëronte askush në dhomën e fshehtë, veç meje. Ajo ishte analfabete dhe duhej ndihmuar të votonte. Siç e pohoi pa ndonjë bezdi faqe babait tim dhe vëllezërve të mi, ma kishte borxh votën dhe donte të ma lante borxhin me dorën time. Ishte e kotë t’i thosha se në të vërtetë unë i kisha asaj një borxh të madh. Kjo histori e fëmijërisë më ka ndjekur si një parabolë për më shumë se dyzet vjet dhe ka pasur mbi mua, sidomos gjatë rinisë, ndikimin e një antidote kundër edukimit zyrtar, që isha i detyruar të merrja, si gjithë moshatarët e mi. Disa nga dyshimet e mia, që do të më shtynin më vonë drejt vendimesh substanciale për jetën time, e kanë zanafillën pikërisht te vuajtja ime e turbullt e atyre javëve, siç mund të jetë e turbullt vuajtja e një të vogli, i cili nuk arrin dot ta kuptojë sado që ta shtrydhë trurin, pse sinqeriteti merr dy kuptime krejt të kundërta dhe madje pa shpresë për t’u pajtuar ndonjëherë, njërin brenda në shtëpi, ku isha “biri” e tjetri jashtë saj, atje ku isha “nxënësi”. Gjyshja ime ka ndërruar jetë tashmë. Ajo arriti të agjëronte trembëdhjetë herë para se të mbyllte sytë e lumtur. Por e di se, po të mundej të ndërhynte në përsiatjet e mia tani, do të më përsëriste pa asnjë mëdyshje se “Zoti e ndihmoi birin të fitonte mbi nxënësin”.

"Panorama"

KOMENTE