"Në përgjithësi, pretendimi për të rigjetur sensin e masës ndërkohë që masa e goditjeve që të japin është pa sens, do të ishte realisht shumë i vështirë. Nuk i dihet nëse i tillë do të ishte edhe për Bamir Topin. Me thënë të drejtën, perceptimi rreth tij si një individ që di të krijojë një distancë civile me teprimin, ka pësuar një lloj krisjeje këto kohë"...
Nga Arjan Vasjari
Është e vjetër sa bota maksima se virtyti më i madh në politikë është të mos humbësh sensin e masës. Ndër të ngjashmit në politikën shqiptare, vetëm Bamir Topi e ka kuptuar këtë. Është thuajse e pamundur që të gjesh një akt tejkalimi etik apo çekuilibri në bon ton-in relacional. Mund të kemi sot e gjithë ditën dyshime rreth kapaciteteve të tij politike por, talentin për të mos dalë nga kufijtë e të lejueshmes nuk mund t’ia vëmë në diskutim. Madje, aq perfekt ka qenë sensi i tij i masës sa shpesh, modeli i tij brenda habitatit të politikës sonë pa koordinata, na është dukur si Tarzani në New York: krejt pa asnjë lidhje.
Mirëpo, ka do kohë që Presidenti nuk i ngjan modelit të tij. I gjendur nën një ofensivë të pazakontë sulmesh (me ose pa të drejtë), veçanërisht nga njerëzit e pushtetit, ai ka filluar të rrëzojë dekorin institucional të zyrës që përfaqëson (për të cilën ka meritën më të madhe) duke polemizuar me të gjithë dhe për çdo gjë. I cytur prej instinktit primordial të vetëmbrojtjes, Presidenti reagon për çdo gjë që mund të thonë kundërshtarët e tij. Duke e pasur të papërpunuar sensin e polemikës në distancë, kreu i shtetit nuk i reziston dot tentacionit dhe replikon edhe me Sali Berishën, edhe me Jozefina Topallin, edhe me Astrit Patozin, edhe me rishtarët dhe këdo që e sulmon. Nuk ka rëndësi pse e sulmojnë. Atij i mjafton që i del emri diku dhe, o nga presidenca, o nga televizionet, o nga gazetat, o nga Kavaja apo Saranda, kthen përgjigje. Çështja bëhet dyfish komprometuese edhe për shkak të një konteksti politik që, në një mënyrë o një tjetër, ka në qendër emrin e tij e, për pasojë, nuk mund të anashkalohet. Që, për ta shpjeguar më qartë: nëse Bamir Topi do t’i kishte treguar “dhëmbët” e tij kohë më parë, me shumë gjasë të gjithë do thoshin se po mbron dinjitetin e institucionit të Presidencës. Kurse tani, në momentin që mazhoranca ka deklaruar zyrtarisht se ai nuk do të jetë një kandidat i saj për kreun e shtetit, reagimi pa asnjë sens mase, lexohet ose si nervozizmi i një të dëshpëruari, ose si beteja politike e një kryetari partie. Kjo është, politikisht shumë e rëndë! Një president Republike nuk mund t’i injektojë shoqërisë dëshpërimin e tij apo retorikën antagoniste të një kryetari partie. Aq më tepër tani, kur gjërat janë shumë të qarta, Bamir Topit nuk i lejohet kjo. Ai ka folur, Sali Berisha gjithashtu dhe, në këtë vështrim, polemika pa një sens mase është shumë më joproduktive për të se për Sali Berishën. Kryeministri është palë politike dhe i lejohet të funksionojë mbi replikën, debatin, përgënjeshtrimin, qofshin këto edhe pa sens mase. Presidentit të Republikës, jo! Ai është dhe mbetet detyrimisht një pikë referenciale në piramidën institucionale jo vetëm pse qëndron mbi palët, por edhe pse nuk rrëshqet në terrenin e shproporcioneve, gjë që palëve në lojë edhe mund t’u tolerohet. Tani, veçanërisht tani, Bamir Topi duhet të jetë edhe më shumë president i Republikës, edhe më shumë superpartes, edhe më shumë korrekt politikisht. Nuk ka më asnjë kuptim, institucional jo e jo, por edhe politik që ai të vazhdojë të replikojë pa fund dhe për gjithçka me pushtetin. Reputacioni i modelit të tij mund të konservohet si pozitiv vetëm duke iu rikthyer urgjentisht sensit të masës në sjelljen politike.
Jo polemikës kudo, për gjithçka dhe me këdo!
Në përgjithësi, pretendimi për të rigjetur sensin e masës ndërkohë që masa e goditjeve që të japin është pa sens, do të ishte realisht shumë i vështirë. Nuk i dihet nëse i tillë do të ishte edhe për Bamir Topin. Me thënë të drejtën, perceptimi rreth tij si një individ që di të krijojë një distancë civile me teprimin, ka pësuar një lloj krisjeje këto kohë. “Pas këtij teprimi, ka një mal me arsye”, - do thoshte njeriu i thjeshtë. Mbase! Por, presidentit i ndalohet ta teprojë edhe kur ka arsye. Shpirti i Republikës e “dënon” atë të jetojë brenda sensit të masës. Kjo është vetëm një këshillë që, Presidenti Topi është i lirë ta konsiderojë ose jo, por nuk mund të thotë se brenda saj ka ndonjë teprim.
"Mapo"