English

Parashikimi i motit për 29 dhjetor 2011

Tiranë, 28 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, edhe nesër vendi ynë do të dominohet nga moti i kthjellët dhe i ftohtë. Gjatë orëve të mesditës do të ketë kalime vranësirash nëpër të gjithë vendin, më të dendura vranësirat do të jenë në jug dhe juglindje të Shqipërisë.

Pjesa e dytë e ditës do të sjellë shtim të vranësirave në pjesën më të madhe të territorit në jug dhe juglindje të vendit do të ketë grumbullim të vranësirave të cilat do të gjenerojnë shira të dobët, në zonat malore do të ketë reshje të pakta dëbore. Situata meteorologjike do të mbetet e njëjtë në mbrëmje por dhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në vlerat minimale ndërsa mesdita do të ruajë vlera konstante të tyre në vend.

Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 37 km/h nga drejtimi jugor dhe juglindor ndërsa dallgëzimi do të arrijë 3 ballë.

Europa

Nesër, Europa Veriore dhe Veriperëndimore do të karakterizohet nga vranësira si edhe reshje shiu dhe dëborë. Më problematike nga reshjet e dëborës do të jenë vendet Nordike. Po ashtu një pjesë e Europës Qendrore si edhe vendet e Balltikut do të kenë vranësira dhe shira intensive. Vendosja e një qendre me presion të ulët atmosferik si edhe kalimi i një fronti të ftohtë në Alpe do të kushtëzojnë mot me vranësira dhe reshje të dendura dëbore. Gjatë pjesës së dytë të ditës do të ketë zhvillim të vranësirave në Balltik si edhe një pjesë të Europës verilindore dhe për pasojë reshjet e shiut dhe dëborës do të jenë me intensitet të lartë. Stuhitë e forta të erës do të bëjnë që deti Balltik të mbetet i trazuar. Ndërsa me mot të kthjellët do të jenë Europa Jugperëndimore, Mesdheu dhe gadishulli i Ballkanit.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Suedia dhe Norvegjia rrezikojnë dëborë të dendur dhe stuhi të forta ere

- Vendet e Balltikut alarmojnë shira të dendura dhe stuhi me rrufe

- Franca dhe Gjermania rrezikojnë reshje shiu dhe dëborë të pakët

a.y/NOA

KOMENTE