Romë, 28 dhjetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një çift të moshuarish, ai 99 vjeç e ajo 96 vjeç kanë vendosur ti japin fund martesës pas 77 vitesh martesë.
Divorci konsensual ndodh për motive xhelozie në Romë të Italisë, pasi gruaja 60 vite më parë kishte tradhtuar bashkëshortin.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, dosja me kërkesën për ndarje u depozitua në Gjykatën e Romës, ndërsa seanca gjyqësore do të zhvillohet në mes të muajit mars.
Mediat italiane shkruajnë se kriza e çiftit nisi në vitin 2002, kur burri zbuloi disa letra të cilat e shoqja ia kishte dërguar më se gjysmë shekulli më parë, një burri me të cilin kishte pasur lidhje.
Dy bashkëshortët, ai i vitit 1912 nga Sardenja dhe ajo e vitit 1915 nga Napoli, u njohën në vitet ’30 kur ai ishte karabinier dhe ishte dërguar me shërbim në Napoli.
Ndërkaq në 25 korrik të vitit 1934 u zhvillua edhe ceremonia e martesës.
Njëzet vite më pas çifit, i cili sot ka pesë fëmijë e dhjetra nipër e mbesa u transferua përfundimisht në Romë dhe gjithçka ecën mirë deri në vitin 2002, kur i moshuari zbulon letrat e dashurisë të së shoqes, raporton NOA.al.
Zbulimi dramatik e detyroi burrin të merrte një vendim, duke u larguar nga shtëpia bashkëshortore, ndërsa pak muaj më vonë rikthehet te e shoqja...por asgjë nuk është më si më parë pasi grindjet sa vijnë e shtohen.
Vetëm pak javë më parë dy bashkëshortët marrin vendimin final, atë të divorcit.
Ndërkaq shpresa e fundit për të ruajtur martesën do të jetë në muajin mars, kur gjykatësi do i pyesë nëse duan të pajtohen... natyrisht nëse do jenë ende në jetë.
a.y/NOA