English

Pesë vjet në shërbim të pacientëve (VIDEO)

Është festuar në Tiranë 5-vjetori i ngritjes së spitalit amerikan. Në një ceremoni të organizuar nga drejtuesit e këtij institucioni shëndetësor privat, kanë qenë të pranishëm personalitete të njohura në vend, si ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, kryetari i bashkisë Lulëzim Basha, politikanë e mjekë të njohur. Drejtuesit e spitalit amerikan kanë vënë në dukje arritjet në këto 5 vite, si dhe shërbimin e pakrahasueshëm me institucionet e tjera, ndaj pacientëve shqiptarë.

"Jemi çdo ditë në kërkim të perfeksionit duke punuar të ofrojmë më të mirën e shërbimit shëndetësor në një ambient përkujdesje dhe sigurie maksimale. Qendra e kardiologjisë, kardiokirurgjisë, me mijëra ndërhyrje, transplantet e organeve e shumë trajtime të tjera që janë unike në vend, sollën zhvillim jo vetëm në sektorin privat po u bënë një shtysë dhe për spitalet publike", tha Klodian Allajbej, drejtor i Spitalit Amerikan.

Në spitalin amerikan ka rreth 650 punonjës dhe 24 departamente që ofrojnë shërbim në 24 orë, në 8 salla operacioni dhe 130 shtretër. Rritja e vazhdueshme e grupit të spitaleve amerikane kulmoi në mars të këtij viti me hapjen e spitalit të dytë në Tiranë. Në 5 vite pranë këtij spitali kanë marrë shërbim rreth 115 mijë pacientë

dhjetor 2006 Spitali Amerikan çeli dyert me premtimin ambicioz dhe përgjegjësinë e madhe: diagnostikim dhe trajtim me standardet më të larta të mjekësisë moderne për pacientët shqiptarë. Investimi i matur, i mirë menduar dhe tepër ambicioz u fokusua fillimisht në kardiologji dhe kardiokirurgji. Përkujdesja dhe vëmendja e Spitalit Amerikan ndaj pacientëve filloi nga zemra. Realizimi për herë të parë në Shqipëri i koronarografisë dhe revaskularizimit të arterieve koronare në gjendje akute të infarktit të miokardit - ishte një prej arritjeve te padiskutueshme të ekipit të kardiokirurgëve. Nga defektet e lindura në problemet e sistemit valvular; nga kirurgjitë e aortës tek bypasset; nga aorta ashendente në arteriet karotide e femorale, çdo kardiopati që prej 5 vitesh ka gjetur trajtim në duart e ekipit të talentuar të Prof Neyyir Tuncay Eren dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sot, pas 5 vitesh punë intensive Spitali Amerikan, i shtrirë në 17 mijë m2 hapësirë, njihet jo vetëm si i pari dhe më i fuqishmi institucion privat shëndetësor por edhe si vendi ku janë realizuar për herë të parë shumë sfida të mjekësisë moderne.

650 punonjës dhe 24 departamente ofrojnë shërbimin e tyre të shtrirë në 24 orë, 8 salla operacioni dhe 130 shtretër. Urgjenca tepër aktive e dy spitaleve tona në Tiranë ka pritur dhe trajtuar në vite mijëra pacientë që sot e njohin Spitalin Amerikan si derën e duhur për të trokitur për urgjencat kardiake, pediatrike, ortopedike... dhe jo vetëm.

Lexoni gjithashtu: Spitali Amerikan, 5 vjet risi shërbimi shëndetësor në Shqipëri

352
KOMENTE