Kairo, 28 dhjetor 2011, NOA - Pas më shumë se 3 muaj ndërprerje nisi sot në Kairo, gjyqi ndaj ish-presidentit Hosni Mubarak, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. Udhëheqësi egjiptian akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e qindra protestuesve si dhe për korrupsion e shpërdorim të pushtetit.
Në seancën e sotme pritet që trupa gjykuese të dëgjojë propozimet e avokatëve për caktimin e datës kur do të dëgjohen dëshmitarët.
Sipas televizionit shtetëror egjiptian më shumë se 5 000 ushtarë dhe policë janë ngarkuar për të ruajtur rendin dhe sigurinë brenda dhe jashtë sallës ku mbahet procesi gjyqësor. Gjatë kësaj periudhe 83-vjeçari Mubarak është mbajtur nën arrest në spitalin shtetëror, ndërsa gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore u transferua me helikopter në Akademinë Policore, nga ku ndjek i shtrirë zhvillimin e gjyqit.
Për vrasje masive, shpërdorim të pushtetit dhe korrupsion akuzohen edhe dy djemtë e tij, ish-ministri i Jashtëm dhe oficerë të lartë ushtrisë dhe policisë.
Avokatët e familjarëve që humbën të afërmit e tyre në protestat e shkurtit kërkuan zëvendësimin e trupës gjyqësore të kryesuar nga gjykatësi Ahmed Refat, por kërkesa e tyre nuk u pranua.
Pala mbrojtëse akuzon gjykatësit se nuk iu dha koha e nevojshme për të pyetur kreun e Këshillit Ushtarak të Egjiptit, Husein Tadaui, i cili udhëheq vendin që prej 11 shkurtit, kur Mubarak dha dorëheqjen.
mit/NOA