Tiranë, 28 dhjetor 2011, NOA – Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit për këtë vit shtyn me tre muaj afatin e amnistisë fiskale për të gjitha kategoritë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në faqen zyrtare të kryeministrisë bëhet me dije se gjatë mbledhjes së qeverisë u miratua akti normativ për një ndryshim në ligjin për “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”.
Miratimi i këtij akti parashikon se amnistia fiskale do të shtyhet për një periudhë tremujore, nga data 31 dhjetor 2011 deri më 31 mars 2012, për të gjitha kategoritë e të drejtave të parashikuara në ligjin e amnistisë fiskale për individë dhe biznese.
Në këtë akt përfshihet shtyrja e afatit për ushtrimin e së drejtës për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme të individëve apo e së drejtës së bizneseve për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore.
Nevoja për të ndryshuar afatin ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së fluksit të kërkesave të qytetarëve, veçanërisht gjatë muajit dhjetor.
mit/NOA