Në dhjetor 2006 Spitali Amerikan çeli dyert me premtimin ambicioz dhe përgjegjësinë e madhe: diagnostikim dhe trajtim me standardet më të larta të mjekësisë moderne për pacientët shqiptarë. Investimi i matur, i mirë menduar dhe tepër ambicioz u fokusua fillimisht në kardiologji dhe kardiokirurgji. Përkujdesja dhe vëmendja e Spitalit Amerikan ndaj pacientëve filloi nga zemra. Realizimi për herë të parë në Shqipëri i koronarografisë dhe revaskularizimit të arterieve koronare në gjendje akute të infarktit të miokardit - ishte një prej arritjeve te padiskutueshme të ekipit të kardiokirurgëve. Nga defektet e lindura në problemet e sistemit valvular; nga kirurgjitë e aortës tek bypasset; nga aorta ashendente në arteriet karotide e femorale, çdo kardiopati që prej 5 vitesh ka gjetur trajtim në duart e ekipit të talentuar të Prof Neyyir Tuncay Eren dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Sot, pas 5 vitesh punë intensive Spitali Amerikan, i shtrirë në 17 mijë m2 hapësirë, njihet jo vetëm si i pari dhe më i fuqishmi institucion privat shëndetësor por edhe si vendi ku janë realizuar për herë të parë shumë sfida të mjekësisë moderne.
Në prag të vitit të parë të themelimit, Spitali Amerikan ndërmori sfidën e radhës në mjekësinë shqiptare- transplantin e veshkave. Sot numërohen mbi 55 transplante të kryera me sukses nga ekipi ynë i kirurgëve dhe tre qendra hemodializë me një kapacitet prej 55 shtretërish duke e bërë kështu Spitalin Amerikan qendrën e vetme të fokusuar në trajtimin e pacientëve me insuficiencë renale.
Në Maj 2009 Grupi i Spitaleve Amerikane u zgjerua me American Medical Center Fier dhe më tej, në Shkurt 2010 me American Medical Center Durrës. Dy qendrat mjekësore në dy qytetet e mëdha të vendit, jo vetëm shërbejnë si qendra referente në diagnostikë e imazheri, por edhe kanë lehtësuar ndjeshëm barrën e pacientëve të hemodializës, të cilët e marrin tashmë këtë shërbim më pranë vendeve ku banojnë.
Laboratori qëndror, me gamën më të gjerë të testeve laboratorike sot në Shqipëri, është një nga faktorët kryesore të suksesit 5 vjeçar të këtij spitali. Me më shumë se 760 teste laboratorike biokimike, mikrobiologjike, imunologjike, histopatologjike etj laboratori i Spitalit Amerikan është i pari dhe i vetmi i çertifikuar me standardin më të lartë në këtë fushë: ISO 15189.
Qendra e Okulistikës një tjetër investim serioz i Spitalit Amerikan, qe iu shërben pacientëve të të gjithë rajonit në kirurgjinë refraktare me lazer, probleme të kataraktit, glaukomës, retinës etj. Pararojë në gjithe trajtimet e syrit në të rritur e të mitur, falë ekipit profesional, kjo qendër është e vetmja që kryen me sukses transplantin e kornesë në vend.
Në punën jo vetëm diagnostikuese por edhe kërkimore të mjekëve të Spitalit Amerikan Qendra e Imazherisë së Avancuar ka luajtur një rol të veçantë. Me aparaturat unike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon si dhe me sherbimin 24 orë kjo qendër lehtëson diagnostikimin e saktë në kohën më të shpejtë të mundshme duke u ardhur kështu në ndihmë veçanërisht ekipeve të onkologjisë, kirurgjisë, ortopedisë etj.
Bashkëpunimi i frytshëm i ekipit të mjekëve të Spitalit Amerikan me Universitetin e Vjenës, ne nentor 2009 bëri realitet ëndrrën e shumë fëmijëve me mungesë të përhershme të dëgjimit. Kryerja e Implantit Koklear, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, është zbatuar me sukses në dhjetra fëmijë të moshave të ndryshme që tani mund të dëgjojnë dhe te bëhen pjesë normale e shoqërisë.
650 punonjës dhe 24 departamente ofrojnë shërbimin e tyre të shtrirë në 24 orë, 8 salla operacioni dhe 130 shtretër. Urgjenca tepër aktive e dy spitaleve tona në Tiranë ka pritur dhe trajtuar në vite mijëra pacientë që sot e njohin Spitalin Amerikan si derën e duhur për të trokitur për urgjencat kardiake, pediatrike, ortopedike... dhe jo vetëm.
Rritja e vazhdueshme e grupit të Spitaleve Amerikane kulmoi në Mars 2011 me investimin më të ri dhe ambicioz; spitalin e dytë në Tiranë. Kjo ndërtesë, krejtësisht e re, me sipërfaqe 6000 m2, është investimi më i madh i aksionerëve të Grupit Bedminster – Allajbeu. I certifikuar per menaxhimin e cilesise qe ne hapat e tij te pare, Spitali Amerikan 2 është kryesisht i fokusuar në lindje, pediatri, neonatologji, kirurgji gjinekologjike, ortopedi, urologji dhe kirurgji plastike. Por jo vetëm... Një nga armët e forta, që përbën njëherazi edhe një pjese të konsiderueshme të investimit të ri, është Qendra e Shëndetit Riprodhues dhe Fertilizimit InVitro me Laboratorin e parë dhe të vetëm të Andrologji – Embriologjisë në Shqipëri me të tilla përmasa dhe të tille mbështjetje teknologjike moderne.
Dhe nuk ndalemi këtu... Pasi u kemi shërbyer në distancë mijëra pacientëve kosovarë ka ardhur koha të jemi të pranishëm në Kosovë me një spital të mirëfilltë e të kompletuar që do të çelë dyert në muajt e parë të 2012.
Sot, pas 5 vitesh, spitali numëron 115 mijë pacientë të cilëve mundohemi tu degjojmë zërin dhe tu njohim kërkesat një nga një.
Numri i madh i tyre, besimi dhe shpresa që është krijuar ndër ta, flet shumë për ne. Flet për reputacionin e krijuar në pese vite punë të ekipit të palodhur. Flet edhe për pritshmërinë dhe përgjegjësinë e lartë para së cilës gjendemi çdo ditë për të justifikuar besimin e atyre që na kanë zgjedhur.
Të jesh lider dhe të vendosësh standartet në rang kombëtar dhe jo vetëm, për ne do të thotë të kesh zgjidhje për çdo kërkesë të çdo pacienti, t’u ofrosh atyre sistemin më efiçent dhe teknologjinë më të lartë në mbështetje të profesionalizmit të stafit. Do të thotë të jesh gjithmonë disa hapa para e të mos ndalesh asnjë ditë së përmirësuari dhe avancuari nëpërmjet punës kërkimore dhe edukimit.
Stafi i Spitalit Amerikan është në punë të vazhdueshme në kërkim të perfeksionit në shërbimin që ofrojmë. Janë pikërisht profesionalizmi i padiskutueshëm i stafit dhe teknologjia e standarteve më të larta dy nga armët tona më të forta që bëjnë diferencën e madhe.
Shifra dhe fakte nga Spitali Amerikan: 115 mijë pacientë 4 spitale 40 milionë euro investim 24 departamente 17 mijë m2 facilitete 655 punonjës në Tiranë, Durrës, Fier 8300 ndërhyrje kirurgjikale 130 shtretër 8 salla operacioni