Durrës, 28 Dhjetor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj – Vrasja makabre e emigrantit në Durrës, krik që mban ende të shokuar opinionin publik shqiptar, është një ekzekutim i nxitur nga vjedhja përmes mashtrimit që autori i dyshuar, nipi i të ndjerit, i bënte viktimës së tij.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e lajmeve NOA.al nga burime zyrtare të Policisë së Durrësit. Ata thanë sonte se Sektori Kundër Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës, si dhe Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, pas një pune profesionale bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur më 24 dhjetor 2011.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autor i dyshuar i ngjarjes është shtetasi i mitur A.Hysa, 16 vjeç, banues në lagjen Nr.14 Durrës, ku edhe ai akuzohet se ka vrarë me armë të ftohtë thikë, xhaxhain e tij Fatbardh Hysa.
I mituri rezulton të jetë lidhje e afërt familjare e viktimës dhe konkretisht djali i vëllait të tij (nipi), - konfirmoi policia.
Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ku autori i dyshuar duke përfituar nga të qenit në emigrim i viktimës, në mënyrë sistematike i ka vjedhur këtij të fundit në total në banesën e tij rreth 3000 euro; shumë të cilën viktima insistonte t’i kthehej, duke i lënë si afat fundin e këtij viti.
Me ardhjen e viktimës nga emigracioni, më datë 22 dhjetor, Fatbardhi ka kontaktuar me të dyshuarin A.Hysa për kthimin e shumës. Por adoleshenti, nëpërmjet mashtrimit se e kishte siguruar shumën 3 mijë euro, e ka tërhequr pranë barakës ku ndodhi ngjarja viktimën dhe aty, në konflikt e sipër e ka qëlluar disa herë me një armë të ftohtë thikë duke i shkaktuar vdekjen.
Nuk është mjaftuar me kaq. Ndërsa e kishte sjellë në barakë për ta vrarë, duke e gënjyer se e thirri t’i jepte tre mijë eurot që i kishte përlarë, me t’i marrë jetën, i ka marrë edhe 140 euro që i gjeti në xhep.
Policia tha se ka sekuestruar shumën prej 140 euro që i ka marrë viktimës, kurse po punohet për gjetjen e thikës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes së shëmtuar.
a.y/NOA