Romë, 29 dhjetor 2011, NOA- Aleanca Kuq e Zi nisi fushatën “Fol vetëm shqip” në Romë të Italisë.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, takimi u titullua “Një gjuhë, një identitet me dinjitet” dhe në të morën pjesë me dhjetëra familje nga Mentana në afërsi të Romës, bashkë me fëmijët e tyre.
Koordinatorja e kësaj feste, Kledja Zalebeu, në fjalimin hapës, vuri theksin tek roli esencial i familjes në edukimin dhe mësimin e gjuhës amtare tek brezat e rinj, si dhe tek vështirësitë që hasen në artikulimin e shqipes në emigracion. Ajo u bëri një thirrje të veçantë prindërve '' Shprehuni shqip prindër, dhe pasuroni gjuhën e fëmijëve tuaj.''
Ajo kërkoi që të lihen mënjanë gjuhët e huaja, të cilat janë kusht për integrim, dhe të fokusohet në artikulimin e gjuhës sonë të pasur e të vyer, gjuhën e ngjyrës kuqezi, gjuhën e shqiptarëve.
Më tej e mori fjalën nënkryetari i AK-Romë, Guxim Kola, i cili foli për problemet e shqiptarëve në emigracion dhe për nevojën e forcimit të komuniteteve shqiptare, drejt formimit të një diaspore të vërtetë, ku rol kyç ka edhe mësimi e përcjellja e gjuhës shqipe, si ngjizëse e brezave, që eviton përplasjen e tyre. Po kështu theksoi edhe se mësimi i gjuhës amtare nga femijët në emigracion u jep edhe atyre një mundësi zgjedhjeje nëse një të nesërme do të duan të shohin nga Shqipëria. Aktivistët e AK-Romë kanë në axhendën e tyre për vitin 2012 , realizimin e takimeve të tjera në Romë e rrethina, në mënyrë që çdo familje patriotike në emigrim, të ketë mundësi të afrohet me Aleancën Kuq e Zi e të jetë pjesë e themeleve të një Diaspore të mirefilltë shqiptare, duke ndihmuar të gjithë shqiptarët e zonës me anë të mjeteve didaktike për mësimin e gjuhës shqipe.
a.y/NOA