English

Aksidenti tragjik në Tiranë, nuk sqarohen ende rrethanat e ngjarjes

Tiranë, 29 dhjetor 2011, NOA – Policia e Tiranës flet për aksidentin tragjik të ndodhur të mërkurën në mesditë në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës ku gjatë përplasjes së dy makinave gjetën vdekjen dy persona dhe u plagos një i tretë.

Policia thotë se dje rreth orës 12.00 tek pallati i Sportit “Asllan Rusi”, automjeti tip Opel me targa AA 237 BI, me drejtues shtetasin Ergys Skënder Shaqa, 22 vjeç, banues në Tiranë, i cili lëvizte në drejtim kryqëzimi Laprakë - Sheshi Rilindja, si pasojë e humbjes së kontrollit, ka kaluar bordurën ndarëse të trafikut dhe është përplasur në korsinë tjetër me automjetin tip “Benz”, me targa TR 6431 I, me drejtues shtetasin Reshit Tasim Sinakoli, 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili lëvizte me drejtim sheshi Rilindja - Laprakë.

Për pasojë bën me dije policia

Për pasojë gjatë aksidentit gjetën vdekjen drejtuesi i mjetit tip “Opel”, Ergys Shaqa dhe 48-vjeçari Arben Enver Hoxha, banues në Tiranë, i cili ishte pasagjer në mjetin “Benz” me targa TR 6431 I.

Sipas policisë drejtuesi i makinës Benz, Reshit Sinakoli ndodhet në S.Q.U, jashtë rrezikut për jetën.

Policia po punon ende për zbardhjen e ngjarjes, dhe ajo nuk sqaron ende rrethanat e aksidentit tragjik, ndërkohë që dje nga dëshmitarë të shumtë që panë me sy përplasjen fatale të dy makinave u mësua se makina tip Opel me targë AA 237 BI, që vinte për në Tiranë kapërceu traversën e mesit të rrugës, dhe u përplas me një makinë tip Benz me targë Tr 6434 I, që udhëtonte në drejtim të kundërt me të. Sipas dëshmitarëve para se të ndodhte aksidenti i rëndë, drejtuesi i automjetit Opel që vinte drejt Tiranës kishte pësuar infarkt në zemër ndërsa ngiste makinën. Kjo me sa duket e çoi atë në humbjen e kontrollit të makinës dhe devijimin nga rruga. Për rrjedhojë makina Opel kapërceu traversën ndarëse të autostradës dhe u përplas fatalisht me makinën Benz me targa Tiranë, duke shkaktuar vdekjen e vetë drejtuesit të Opelit dhe pasagjerit në makinën Benz.

mit/NOA

KOMENTE