Tiranë, 29 dhjetor 2011, NOA- Vodafone Albania në kuadër të përgjegjshmërisë sociale ngriti pranë spitalit të pediatrisë të parën qendër argëtuese/edukuese që do i shërbejë fëmijëve të cilët janë të shtruar në spital.
Në Pediatri është një kapacitet me 243 shtretër për sëmundjet kronike, çka do të thotë se kjo qendër e re do u shërbejë mijëra fëmijëve që shtrohen gjatë vitit në këtë spital. Gjithashtu përgjatë vitit 2012 do të organizohen çdo muaj aktivitete për fëmijët si dhe këshillim me prindërit nga psikologët e atashuar pranë këtij institucioni.
Dje, gjatë hapjes së qendrës, punonjësit e Vodafone Albania dhuruan libra e lodra për fëmijët.
Gjithashtu Fondacioni Vodafone Albania ishte dje me fëmijët Talasemike në spitalin e pediatrisë, QSUT. Ky është i dyti vit që Fondacioni mbështet Shoqatën Shqiptare të Talasemikeve në ndihmë të fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje.
Nga ky projekt do të përfitojnë 120 pacientë me Talasemi dhe 300 prindër dhe të afërm që kanë lidhje direkte me të sëmurët. Tre mijë fëmijë të shkollave do të mësojnë më shumë në lidhje me këtë sëmundje si dhe 200 mësues janë targetuar për të dhuruar gjak.
a.y/NOA