"Arsyeja e parë pse ligjërimi i tipit “jemi mirë” tingëllon papërshtatshëm, është se vërtet ndoshta nuk jemi në një krizë tipike si ato që cilësojnë organizmat ndërkombëtare referuar krizës korente ekonomike botërore, por që kemi parametra tejet problematikë dhe në degradim këtë nuk ka kush e vë më në dyshim"...
Nga Henri Çili
Konferenca e djeshme për shtyp e kryeministrit Berisha, përveç përfaqësimit të mediave tona me reporterët që mbulojnë Këshillin e Ministrave, bënte përshtypje edhe për një impostim të kryeministrit në një regjistër komunikimi të tipit “jemi mirë dhe shumë mirë”. Madje kryeministri, duke u mbështetur në pak sythe të treguesve tanë të zhvillimit e kualifikoi Shqipërinë si “vend i zhvilluar”. E guximshme, edhe pse e shumëdëshiruar për shqiptarët kalimi në parametrat e një vendi të zhvilluar. Por në fakt, kualifikime të tilla si ky i kryeministrit dje, janë tregues të një diskursi të papërshtatshëm që karakterizon së fundi, qoftë fjalorin e kryeministrit dhe qoftë në tërësi frymën e shumicës që qeveris sot vendin. Kjo për së paku dy arsye.
Arsyeja e parë pse ligjërimi i tipit “jemi mirë” tingëllon papërshtatshëm, është se vërtet ndoshta nuk jemi në një krizë tipike si ato që cilësojnë organizmat ndërkombëtare referuar krizës korente ekonomike botërore, por që kemi parametra tejet problematikë dhe në degradim këtë nuk ka kush e vë më në dyshim. E ndjejnë të gjithë operatorët ekonomikë në vend, e ndiejnë bankat, e ndiejnë qytetarët, e ndjen buxheti i shtetit. Ndaj është e pamundur të transformojmë me fjalë atë që është problem apo shqetësim në realitet. Por edhe sikur kjo të ishte e mundur, kjo nuk është përshtatshme, sepse shoqëria është e prirur të mos e pranojë realitetin sado i mirë që është, të ilustruar propagandistikisht. Shoqëria e lirë është e prirur madje të pretendojë diçka më tepër edhe sikur gjendja të jetë shumë e mirë, jo më që gjendja sot është më e pakta problematike ose me probleme në përparim.
Arsyeja e dytë pse ligjërimi i tipit ‘jemi mirë” është i papërshtatshëm, është se një shoqëri demokratike dhe e lirë e prirur të shohë nga e ardhmja, të shohë se si do të zgjidhet një problem i vjetër apo një problem i ri, se si do përmirësohet x – parametër ekonomik, social apo kulturor në vend, si do të ruhen pa degraduar disa arritje apo standarde që janë arritur e që rrezikojnë të degradojnë nga kriza apo nga pushteti.
Në vend të një ligjërimi të tipit “jemi mirë”, është shumë e shëndetshme për shoqërinë dhe për mazhorancën vetë, të adoptohet një frymë e tipit “si mund të bëhemi më mirë”, duke treguar se çfarë duhet dhe do të ndryshojë, se çfarë vizioni ka për të përballuar jo vetëm momentin, por për ta çuar më tej shoqërinë shqiptare drejt zgjidhjeve të qëndrueshme të disa problemeve kardinale të shoqërisë sonë, në krye të të cilave qëndron pikërisht ajo ekonomia.
Duket, se i pajisur fort më së pari me instinktin e luftës politike, kryeministri Berisha bie lehtë pre në a-simetri me opozitën, e cila ende mbetet në pozitat e ligjërimit “jemi keq”, kur pretendon seriozisht pushtetin në 2013, pa mundur të artikulojë besueshëm dhe me realizëm “si mund të bëhemi mirë”.
Ndaj ndoshta kryeministri Berisha, aksioni politik dhe komunikativ, i të cilit rrezikon të bjerë në stanjacion e përsëritje, ka shansin iniciojë dhe ta shndërrojë në frymë pikërisht një tjetër diskurs. Në vend të atij që “jemi mirë”, shoqëria pret të kalojmë tek “si mund të bëhemi mirë”. Kështu ndoshta, do ta përjetojmë pa mërzi dhe me një shpresë këtë vit të ri, në horizontin e një epoke që ka kryefjalë “krizën”.
"Mapo"