Tiranë, 29 dhjetor 2011, NOA – Çekia do të mbështesë fuqishëm dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, në periudhën më të afërt gjatë vitit të ardhshëm, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Këtë e bëri të ditur i Ngarkuari me Punë i Republikës së Çekisë në Tiranë, Vladimir Valky, i cili ushtron përkohësisht edhe funksionet e kreut të Ambasadës Çeke në Tiranë, gjatë takimit të sotëm me kryeministrin Sali Berisha.
Siç bën me dije zyra e shtypit e qeverisë, kryeministri Berisha gjatë takimit iu referua shuarjes nga jeta pak ditë më parë të ish-Presidentit të fundit Çekosllovakisë dhe Presidentit të parë të Çekisë duke vlerësuar se “Presidenti Vaclav Havel si një personalitet frymëzues për të gjitha vendet e Evropës Lindore e Juglindore dhe për të gjithë qytetarët dhe intelektualët e lirë të këtyre vendeve, të cilët u ngritën për të shembur komunizmin në fillim të viteve ‘90 dhe gjetën tek figura e Vaclav Havel shembullin më të mirë të një individi e politikani të lirë”.
Pasi e falenderoi për mikpritjen, zoti Valky i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kryeministrit dhe qeverisë çeke, si dhe mirënjohjen për nderimin që zoti Berisha dëshmoi ndaj figurës së ish-Presidentit Vaclav Havel, me pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e lamtumirës të organizuar javën e kaluar në Pragë.
Valky e siguroi kryeministrin Berisha se Republika e Çekisë ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e palëkundur e qeverisë shqiptare, në të gjitha përpjekjet për projektin madhor të integrimit europian.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve e qeverive dhe u rikonfirmua vendosmëria dhe angazhimi i tyre për të zgjeruar e thelluar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Në këtë kontekst, sektorë të rëndësishëm për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh u konsideruan fusha e arsimit, shkëmbimet ekonomike e tregtare, por edhe thithja e investimeve apo projekteve në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
mit/NOA