English

Partitë shqiptare në Maqedoni, debate mbi 100 vjetorin e Ditës së Flamurit

Shkup, Maqedoni 29 dhjetor 2011, NOA - Partitë politike shqiptare të pozitës dhe opozitës kanë nisur debate politike mbi shënimin e këtij përvjetori shekullor, duke mos kursyer edhe akuza.

Akoma pa filluar viti i ri 2012, që do të shënojë 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, të njohur si Dita e Flamurit, në Maqedoni partitë shqiptare kanë nisur debate dhe akuza politike mbi shënimin e kësaj ngjarje historike kombëtare.

Partitë politike shqiptare të pozitës dhe opozitës kanë nisur debate politike mbi shënimin e këtij përvjetori shekullor, duke mos kursyer edhe akuzat që vijnë nga opozita shqiptare.

Partia shqiptare në pushtet BDI paralajmëroi se ka nismën që festa e 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit të jetë festë shtetërore për shqiptarët në Maqedoni.

“Ne kemi marrë iniciativë që në mandatin e kaluar që në Republikën e Maqedonisë mase e nevojshme është që të shpallen dy data festive shtetërore, 28 nëntori dhe 13 gushti, dita kur nënshkruhet marrëveshja paqësore e Ohrit, ne jemi në komunikim edhe me partnerët e koalicionit, jemi në komunikim edhe me opozitën që të shohim mundësit dhe kohën se kur do futen në proces që këto dy data të shënuara për shqiptarët e Maqedonisë të institucionalizohen”, ka theksuar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

PDSH-ja opozitare dje përmes shefit të grupit parlamentar, Imer Selmani dorëzoi Propozim-ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për festat shtetërore, me ç`rast kërkon që festa kombëtare e 28 Nëntorit të shpallet festë shtetërore në Maqedoni.

Kjo parti ka refuzuar pjesëmarrjen e saj në Këshillin organizativ të promovuar dhe formuar dje me nismën e BDI-së për shënimin e 100 vjetorit të Ditës së pavarësisë së shtetit shqiptar, që është pjesë e këshillit mbarëkombëtar për shënimin e këtij përvjetori.

RDK ka këkuar ndërhyrje urgjente në Ligjin për festat shtetërore për të shënuar këtë ditë historike shqiptare, por edhe ndërhyrje në ndryshimin e Ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare, për të rikthyer përdorimin më të gjërë të flamurit kombëtar dhe rikthimin e tij në përmasat standarde.

NOA/INA

KOMENTE